E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnimi, mami "speciale" për kujdesin ndaj bebeve

Shëndeti i fëmijëve të vegjël varet jo vetëm nga nëna dhe kujdesi gjatë lindjes, por edhe nga trajtimi që u bëhet të vegjëlve të sapolindur. Kujdesi i saktë dhe trajtimi sipas kushteve që i nevojiten një të porsalinduri me probleme, mund t‘i shpëtojë jetën dhe t‘i krijojë një atmosferë më të qetë pune për mjekun që do të kujdeset më pas. Mënyra e trajtimit të këtyre foshnjave, teknikat dhe kujdesi që duhet të ketë secili punonjës me bluzë të bardhë, janë shpjeguar dhe diskutuar në trajnime të veçanta dhe të specifikuara për "reanimimin dhe trajnimin" e foshnjave të sapolindura. Dje në spitalin universitar "Mbretëresha Geraldinë" janë ndarë certifikatat për një grup mamish të trajnuara, të cilat tashmë mund t‘u japin përvojën e tyre të fituar edhe kolegeve në qendrat shëndetësore ku punojnë. Materiale trajnuese, si dhe ndihmë në këtë proces kanë dhënë edhe specialistë amerikanë. Kualifikime të tilla në të ardhmen nuk do të jenë vetëm informuese apo trajnuese për personelin shëndetësor, por edhe tregues të aftësisë së tyre në punë. Në të ardhme, një proces i tillë do të shërbejë për të "licencuar" specialistë, të cilët plotësojnë standarde për të mbajtur vendin e punës, ose në të kundërt për t‘u larguar nga ky profesion për mospërmbushje kriteresh.

Programi ka si qëllim mësimin e metodave bashkëkohore të ndihmës për fëmijët e porsalindur, duke u praktikuar në "bebe" artificiale të ndërtuara enkas për këtë qëllim. Me të gjitha mjetet e dhuruara nga dy trajnueset amerikane dhe stafi me të cilin ato punojnë do të ngrihet një dhomë trajnimi dhe edukimi shëndetësor për të gjitha mamitë në spitalin "Mbretëresha Geraldinë", si dhe të qendrave shëndetësore nga i gjithë vendi. Këto kurse do të përfundojnë me testimin e secilës prej pjesëmarrëseve dhe pikët e marra prej tyre do të shërbejnë për vlerësimin në të ardhme. Kjo, nëse ato, në bazë të aftësive të marra, do të vazhdojnë të jenë pjesë e personelit ose jo. Dje, pas përfundimit të kursit, u ndanë 9 certifikata për mamitë te "Mbretëresha Geraldinë", dy për mamitë e spitalit të Tropojës dhe dy për mamitë e spitalit të Bulqizës, spitale të cilët Qendra Universitare e Tiranës do t‘i ketë në patronazh të vazhdueshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›