E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyset zetori, plagosen rëndë dy të rinj

Dy të rinj kanë përfunduar të plagosur rëndë, si pasojë e përmbysjes së mjetit me të cilin punonin. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, të ditës së djeshme, në fshatin Bregas, pak kilometra larg qytetit të Beratit. Shkëlzen Xhambolli, 22 vjeç dhe Aleksandër Damo, 25 vjeç, mbetën të plagosur, ndërsa mjeti, tip zetor, u përmbys për shkaqe ende të panjohura. Dy të rinjtë, banorë të lagjes "Donika Kastrioti", mësohet se kishin shkuar për të punuar në fshatin Bregas, me një mjet tip zetor. Ka qenë 22-vjeçari Xhambolli, pronar i mjetit, i cili, ndërsa shkonte për të punuar, ka marrë me vete dhe shokun e tij. Terreni i thyer dhe pakujdesia gjatë drejtimit të mjetit, dyshohet të jetë bërë shkak i përmbysjes së zetorit. Mjeti mësohet të ketë zënë poshtë dy të rinjtë duke u shkaktuar dëmtime serioze. Inspektori i zonës u ka dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve, duke i transportuar drejt spitalit rajonal të Beratit. Burime pranë repartit të kirurgjisë bëjnë me dije se 25-vjeçari Damo kishte pësuar dëmtime më të rënda dhe rrezikonte jetën. Për këtë arsye, ai është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›