E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga pallati në ndërtim, vdes punëtori 21-vjeçar

Puna në sektorin e ndërtimit i ka marrë jetën një tjetër të riu në Durrës. Ndërsa ka qenë duke punuar në një pallat në ndërtim te Shkëmbi i Kavajës, Sajmir Bënja, 21 vjeç, ka gjetur vdekjen pas rënies nga lartësia. Ishte ora 09:40 e ditës së premte kur i riu ka rënë nga katet e sipërme të pallatit, duke pësuar dëmtime të shumta. Viktima kishte ardhur në Durrës nga Rrethi i Tepelenës dhe jetonte bashkë me familjen në zonën e ish-Kënetës. Si rezultat i rënies, 21-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë pasi dëmtimet e pësuara kanë qenë të mëdha dhe të pakthyeshme. Ai ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Durrësit. Burime nga vendi i ngjarjes, të cilat u konfirmuan dhe nga policia, bënë të ditur se Sajmir Bënja ishte punëtor ndërtimi dhe punonte në ndërtimin e godinës nga e cila u rrëzua. Menjëherë, me të marrë njoftim, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë, që bënë veprimet e para. Policët shoqëruan në Komisariatin e Durrësit përgjegjësin e sigurisë së punimeve të firmës ndërtuese, shtetasin Adriatik Hasa. Burimet policore thanë se po vazhdon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur, ndërsa shtohen viktimat nga mungesa e masave të sigurimit teknik në ndërtim. Një javë më parë, një tjetër punonjës ndërtimi gjeti vdekjen në plazhin e Durrësit, pas rënies nga lartësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›