E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markeljani rikthehet nga Greqia, plagos një 19-vjeçar

Rikthehet nga Greqia i mituri Markeljan C., dhe menjëherë është bërë prapë problem për policinë e kryeqytetit. Tashmë nuk është për ndonjë vjedhje, por për rrahjen e një të riu dhe kërcënimin e tij me thikë. Ngjarja ka ndodhur te "Pishinat" dhe policia ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të 12-vjeçarit. Ndonëse i dëmtuari është më i madh në moshë, Markeljani ka arritur ta frikësojë me një thikë, duke e kërcënuar se do ta vriste dhe e ka goditur me mjete rrethanore. Sipas policisë, Komisariati Nr. 2 është njoftuar për këtë ngjarje rreth orës 15:00, kur Mario A., 19 vjeç, ka dyshuar se 12-vjeçari do i vidhte portofolin. Më pas, mes tyre ka plasur sherri dhe Markeljani e ka goditur 19-vjeçarin. Policia, pavarësisht moshës së vogël, duket se për krimin e radhës do e prangosë Markeljanin. Vetëm pak ditë më parë ai është deportuar nga Greqia, ku kishte emigruar ilegalisht me qëllim për të ushtruar profesionin e hajdutit. Por, ai u kap nga shërbimet policore të shtetit fqinj duke kryer një vjedhje dhe pas marrjes së informacionit nga autoritetet shqiptare, realizoi kthimin mbrapsht të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›