Gjyqi, dështon seanca e parë për vrasjen e dy policëve në Kukës
Dështon seanca e parë për autorin e vrasjes së dy punonjësve të policisë në Kukës, Afrim Hasani. Avokati mbrojtës i të pandehurit për vrasjen e dy policëve nuk është paraqitur në seancën e djeshme për mbrojtjen e Afrim Hasanit. Por, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u paraqit dje i pandehuri Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës. Prokurori Ardian Nezha, i cili ka renditur për Hasanin akuzat për vrasje për shkak të cilësive të veçanta, armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone, pranoi shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor për një seancë gjatë ditëve të ardhshme, për shkak të mungesës së avokatit. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy efektivave të Policisë Rrugore në qytetin e Kukësit dhe dosja tani ka nisur të ndiqet në gjykatë. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se më datën 16 mars të vitit 2009, në qendër të fshatit Shëmri Kukës, në lokalin e shtetases Adriana (Lume) Brinja, kanë hyrë me forcë në lokalin e Zaim Brinjas dhe i pandehuri Afrim Hasani, menjëherë sapo ka hyrë në lokal, ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrige dhe gota e pjata që ndodheshin në një tavolinë të lokalit. E zonja e lokalit ka komunikuat me efektivat e policisë, Ramadan Hila, Ajet Hila dhe Shkëlzen Dobrushi, duke u kërkuar atyre ndihmë për dhunën dhe dëmtimet që Hasani kishte shkaktuar në lokalin e saj. Menjëherë sapo janë vënë në dijeni në lidhje me ngjarjen, tre punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi, Ramadan Hila dhe Ajet Hila kanë dalë në aksin rrugor Kukës-Tiranë, për të bllokuar automjetin me të cilin lëvizte i pandehuri Afrim Hasani. Rreth orës 15:15, tre policët kanë parë dhe ndaluar automjetin tip "Benz Mercedes D 240", ngjyrë e kuqe, me targë KR3778A, ku në vendin e parë të tij ishte i ulur si pasagjer i pandehuri Afrim Hasani. Pas ndalimit të automjetit nga punonjësit e policisë, është konstatuar se në drejtimin e timonit të mjetit ishte shtetasi Mentor Hila, pronar i mjetit, në sediljen e parë të pasagjerit ishte i pandehuri Afrim Hasani dhe në sediljen e pasme ishin shtetasit Genc Avdia dhe Zamir Avdia. Pasi kanë ndaluar makinën, menjëherë punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje për të zbritur nga makina këtyre personave, duke i kërkuar shoferit dokumentet e mjetit. Në këto momente, i pandehuri Hasani ka nisur të konfliktohet me punonjësit e policisë. Në kërkesën për gjykim, prokuroria shpjegon se efektivat kanë vënë në dijeni sallën operative. Në lidhje me këtë ngjarje, policët Ramadan Hila e Shkëlzen Dobrushi kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të "kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë". Pas kallëzimit, i pandehuri, pasi ka siguruar një armë automatike, konkretisht automatikun tip "AK" me nr. 14214879, të cilin siç deklaron dhe vetë e kishte të fshehur jashtë banese, pasditen e datës 23 mars, rreth orës 20:30, ka hyrë në lokalin e shtetasit Isa Dobrushi dhe ka qëlluar dy punonjësit e policisë, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hilaj, me të cilët ishte konfliktuar një javë më parë.