E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet biznesmeni, akuzohej për trafikun e 92 kg heroinë

Skadojnë afatet e paraburgimit, duke sjellë lirimin e biznesmenit Rasim Shira, i cili akuzohet për trafikun e 92 kg heroinë. Mësohet se Shirës i kanë mbaruar afatet e paraburgimit, ndaj për këtë arsye Gjykata e Krimeve të Rënda e ka ndryshuar dje masën e sigurisë nga "arrest me burg", në "arrest shtëpie". Dosja e biznesmenit është rikthyer sërish për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, vendim ky i marrë pak muaj më parë nga Gjykata e Lartë, e cila gjeti shkelje procedurale. Ngjarja për të cilën akuzohet Shira ka ndodhur më 4 dhjetor të vitit 2003, kur policia turke konfiskoi kamionin me targa "TR7865B", i cili kishte si destinacion Shqipërinë dhe ishte i mbushur me konfeksione. Gjatë kontrollit të kamionit në pikën kufitare të Ipsalës mes Turqisë dhe Bullgarisë, policia turke arriti të gjejë 174 pako heroinë të mbështjella me ngjitës natriban, të cilat, pas peshimit, rezultuan se ishin më shumë se 92 kg heroinë. Pas verifikimeve hetimore dhe ardhjes së letër-porosisë, disa vite më parë, u faktua që Rasim Shira ishte bashkëpunëtor në trafikimin e kësaj droge, së bashku me disa persona të tjerë. Prokuroria e akuzoi Shirën si organizatorin dhe financuesin e rrjetit të trafikut, ndërkohë që ai u dënua si një ndër bashkëpunëtorët në krim. Vetë Shira, gjatë gjithë procedimit të tij ka deklaruar se arrestimi i tij me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve ishte një sulm i pastër politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›