Mediu ankohet: "Prokurorët mbrojnë prokurorët"
Dje, avokatët e Fatmir Mediut kanë bërë një ankimim në Prokurorinë e Tiranës, për mosmarrjen në konsideratë të denoncimit për nxjerrje sekreti nga organi qendror i akuzës. Pas vendimit që mori Prokuroria e Tiranës për pushimin e hetimeve për kallëzimin penal që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kreu pak kohë më parë kundër Ina Ramës dhe Sokol Stojanit, ditën e djeshme avokatët e deputetit Mediu kanë kryer në akuzën kryeqytetase një ankimim kundër këtij vendimi, që sipas tyre është i paligjshëm. Rreth orës 13:00, avokatët janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën kanë kryer një ankimim kundër vendimit të marrë pak kohë më parë nga kryeprokurori i rrethit, Genti Xholi. Mësohet se në këtë ankimim i kërkohet prokurorit Xholi të rifillojë përsëri hetimet, si dhe të kryejë një proces të paanshëm, pasi vendimi për pushimin e këtij kallëzimi është marrë pa kryer asnjë verifikim apo veprim hetimor që mund t‘i shërbente çështjes. Sipas pretendimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kallëzimi që bëri ndaj Kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit Sokol Stojanit, nga momenti i protokollimit dhe deri në marrjen e vendimit për pushimin e tij, ka qëndruar në zyrën e prokurorit të rrethit, Genti Xholi. Duke qëndruar mbi tavolinën e këtij të fundit, nënkuptohet qartë se për zbardhjen e problematikës që shtrohej në kallëzim nuk është kryer asnjë veprim hetimor. Aktualisht nuk dihet me saktësi nëse Prokuroria e Tiranës do të rinisë përsëri hetimin për Kryeprokuroren Ina Rama dhe prokurorin Sokol Stojani, të cilët u paditën nga Mediu për "shpërdorim detyre" dhe "nxjerrjen e të dhënave hetimore në media". Në padinë e Fatmir Mediut thuhet se "në datën 25 prill 2008, Ina Rama, në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes referuar më lart, kanë organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, jo vetëm duke publikuar në mënyrë të paligjshme përmbajtjen e aktit procedural të heqjes së imunitetit tim si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe duke u shpërndarë gazetarëve të pranishëm kopje të këtij akti". Ndërsa padia për Stojanin kishte të bënte me disa mesazhe që sipas Mediut, Stojani ua kishte nisur disa gazetarëve.