Bie nga shkallët, vdes 60-vjeçari
12/03/2005 SHKODËR - Humb jetën një 60-vjeçar nga Shkodra. Mëngjesin e së premtes rreth orës 08.30, 60-vjeçari Bahri Heta, banor në lagjen “Partizani” të Shkodrës, ka humbur jetën në mënyrë aksidentale në shtëpinë e së motrës së tij, në fshatim Muriqan. Sikurse bëhet e ditur nga burimet e policisë, Hetaj kishte shkuar si mik te shtëpia e së motrës. Gjatë mëngjesit, Hetaj ka qenë duke u ulur nga kati i dytë i banesës për në katin e parë, kur këmbët i kanë rrëshqitur nëpër shkallë, duke bërë që Hetaj të rrëzohet me kokë mbi to. Nga përplasja mbi shkallë, ai ka pësuar një frakturë në pjesën e prapme të kokës. Megjithëse familjarët e tij e kanë dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ai nuk ka mundur t’i rezistojë plagës që kishte marrë në kokë gjatë rënies mbi shkallë. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe familjarët e tij, pohojnë burimet nga policia, të cilët e kanë arkivuar këtë çështje si aksidentale.