E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pas 6 muaj martese, var veten në bodrum

12/03/2005  Motivet, depresioni, ose një borxh i pashlyer

BERAT- Rikthehen sërish frikshëm aktet e vetërasjeve. Viktima e radhës e vetëflijuar është 33 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, e cila ka varur veten në bodrumin e banesës ku jetonte.

Vetëvarja

Donika Toska është gjetur e vetëvarur mesditën e djeshme, rreth orës 12.00, në lagjen “Kala”, të qytetit të Beratit. Personi që ka konstatuar i pari aktin tragjik, ka qenë njeriu me të cilin Donika bashkëjetonte prej gjashtë muajsh. Sipas burimeve të policisë, viktima ishte divorcuar përpara tetë vjetësh me bashkëshortin e saj, me të cilin kishte edhe dy fëmijë dhe prej disa muajsh bashkëjetonte me Landi Bregun. Nga këqyrja e vendngjarjes, uniformat blu kanë konstatuar se 33-vjeçarja ishte vetëvarur me një litar, të cilin duhet ta kishte siguruar më parë. Ky fakt ka ngritur dyshimet se nëna e dy fëmijëve ndoshta e kishte planifikuar më parë aktin e vetëvrasjes dhe se gjithçka mund ta ketë kryer me koshiencë të plotë. Gjithnjë sipas burimeve policore lokale, Donika ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk kishte as fëmijët dhe as personin, me të cilin bashkëjetonte. Ky i fundit, pasi ishte kthyer në shtëpi, i kishte bërë përshtypje mungesa e Donikës. Pasi e ka thirrur dy-tri herë, Landi ka zbritur në bodrumin e banesës, ku konstatoi edhe skenën tragjike.

Pistat

Menjëherë pas konstatimit të ngjarjes, policia ka marrë në pyetje Landi Bregun, i cili bashkëjetonte me viktimën 33-vjeçare. Burimet policore janë shprehur për gazetën se Bregu ka treguar skenën se si e gjeti të vetëvarur, ndërkohë që nuk ka parashtruar ndonjë problem apo shqetësim, që mund të kenë patur më parë. Ndërkaq grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje, ka përcaktuar dy pista të mundshme, që mund ta kenë shtyrë Donikën të marrë vendimin fatal për jetën e saj. Pista e parë, sipas grupit të hetimit, është mundësia e një gjendjeje të rëndë depresive të çastit, çka ka qenë motivi edhe i disa vetëvrasjeve të tjera të mëparshme. Ndërkohë që një pistë e dytë e mundshme për policinë është edhe një borxh, që Donika nuk ka mundur ta shlyejë, por që për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor burimet nuk kanë dhënë më shumë detaje. Gjithsesi, në ditët në vazhdim, hetuesit do të marrin në pyetje edhe persona të tjerë, komshinj dhe të afërm të Donikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›