E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga teleferiku riparuesi i kabllove

12/06/2005  Dje u shënua viktima e parë në Dajt, Ylmi Osmani, 46 vjeç, ra nga 7 metra lartësi

TIRANË- Viktima e parë një ditë para përurimit të "nisjes" së teleferikut që të çon në Dajt për 12 minuta, quhet Ylmi Osmani. Ai është 46 vjeç, punëtor në riparimet e kabllove, ndërlidhës, lindur e banues në "Shkollën e Bashkuar", i martuar me dy fëmijë. Dje mes gjelbërimit të fushës përballë ish-kampit të pionerëve, rreth orës 11.00, Osmani ka rënë nga një lartësi prej 7 metra, duke gjetur vdekjen e menjëhershme, si rezultat i përplasjes së pjesës së pasme të kafkës me tokën. Mundësitë e shpëtimit ishin të pakta. Mjekët eksperto-ligjorë të morgut të Tiranës dhe grupi hetimor i Komisariatit numër 4 kreu veprimet proceduriale, ndërsa trupi i pajetë i punëtorit u dërgua pasditen e djeshme pranë të afërmve. Masat për "kyçjen" e gojës nuk linin hapësira për informacione teknike, gjersa edhe rojet e ndërtesës së lartë mërmërisnin vetëm fjalët: "Kemi urdhër të mos flasim", ndërsa zyrtarët e policisë nuk japin detaje të mëtejshme. Gjithsesi, të pyetur nga gazeta "Metropol", disa nga ekspertët e Komisariatit numër 4 thanë se pas dëshmive të marra nga kolegët e tij, vdekja e punëtorit ka ardhur si pasojë e mossigurimit me mjetet e nevojshme, ndërsa faktori i pakujdesisë bën pjesë në rrethanat që po shqyrtohen. Mjekët eksperto-ligjorë deklarojnë për gazetën "Metropol", se dëmtime ka pasur në kokë e në trup dhe punëtori nuk ka pasur asnjë sekondë jetë pas përplasjes.

Ngjarja

Duke qenë se sot ishte planifikuar përurimi i teleferikut, firma austriake "Doppelmayr", e cila ka marrë përsipër ndërtimin e tij bashkë me investime të Bankës Italo-Shqiptare dhe projekte të Institutit të Pyjeve, vazhdonte punimet. Duheshin riparuar e kontrolluar kabllot e ndërtesa kryesore, ku ndalojnë kabinat. Sipas disa pushuesve që kishin parë me sytë e tyre tmerrin e ditës së djeshme, Osmani ishte në majë të kullës së hekurt, duke punuar. Pasi ai kishte rënë nga ndërtesa, kolegët e tij ishin mbledhur për t’i dhënë ndihmën e parë, por pa rezultat. Dikush nga punëtorët, me lot në sy kishte bërtitur me të madhe "Mbaroi, mbaroi", e më pas ishte lajmëruar policia, e cila mbërriti në vendngjarje pas disa minutash bashkë me mjekët eksperto-ligjorë.

Heshtja

Të "gozhduar" te porta kryesore, disa nga rojet e punonjësit, në majë të malit të Dajtit, nuk lejuan asnjë gazetar a fotograf të afrohej pranë vendit të ngjarjes. "Nuk kemi faj ne. Na kanë thënë të mos lëmë asnjeri të afrohet brenda kësaj rrjete", na thonë rojet, duke na treguar telin rrethues, ndërsa nën zë ata pranojnë se Ylmi Osmani ishte punëtor prej disa muajsh në këtë firmë, e disa prej tyre e njihnin si njeri serioz e punëtor. Ndërkohë, nga struktura e Policisë së Tiranës nuk jepet asnjë informacion i mëtejshëm rreth kësaj ngjarjeje. Disa burime policore thanë se viktima nuk ishte punonjës në këtë firmë.

Projekti, ëndrra e kthyer në realitet për kryeqytetasit

TIRANË – Linja Kinostudio-Mali i Dajtit kushton 6.5 milionë euro. Sipas fjalës së Kryeministrit shqiptar në përurimin e punimeve më 25.04.2003, projekti me këtë investim do të licensohej nga KRRTRSH e do zbatohej nga partnerët austriakë, që është firma “Doppelmayr", edhe me mbështetjen e njërës prej bankave serioze në tregun financiar të vendit, Banka Italo-Shqiptare. Nano, ditën e përurimit, tha se "duket se do t’i japë një dimension të ri të gjithë jetës së qytetarëve të Tiranës dhe Dajtit, por dhe jetës shqiptare në tërësi, sepse është infrastruktura e parë e këtij lloji që ndërtohet". Në fakt, gjithçka e ka marrë përsipër Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Pyjore. Për lëvizjen e teleferikut nuk do të ketë rrymë, por ai do të furnizohet me energji nga gjeneratorët. Udhëtimi është parashikuar të kushtojë 550 lekë vajtje-ardhje. Modeli është 8 M.G.D. Nga njëri stacion në tjetrin, teleferiku është i gjatë katër kilometra e gjysmë dhe distanca përshkruhet në të njëjtën kohë nga 22 gondola, njëmbëdhjetë në vajtje dhe 11 të tjera në kthim, me një shpejtësi 5 metra në sekondë. Secila nga gondolat është një minutë larg tjetrës në kohën e nisjes. Mekanizmi i funksionimit të teleferikut është i tillë, që nëpërmjet një motori të fuqishëm 561 kuaj fuqi vë në lëvizje litarin që kapet në dy pulexho, aty ku janë fiksuar gondolat dhe mbështetet në kullat e posaçme. Janë vendosur gjithsej 21 të tilla, të vendosura për të evituar varjen e litarit, pra që ky të qëndrojë i tendosur. Më e larta prej këtyre kullave do të jetë pak më shumë se 33 metra, ndërsa më e ulëta do të ketë lartësi 8 metra nga toka. E gjithë distanca do të përshkohet për 12 minuta nga njëri stacion në tjetrin. Stacioni i nisjes është në Qesarak, pranë Linzës, ndërsa ai i mbërritjes në sheshin përpara ish-kampit të pionerëve. Përveç hartimit e realizimit të projektit nga firma austriake “Doppelmayr”, ai u mbështet dhe morën pjesë në të edhe specialistë shqiptarë si Panajot Koçi, pedagog në Fakultetin e Shkencave Pyjore dhe specialist i vjetër, Mihallaq Kotro, i cili është bashkautor i shumë teksteve për teleferikët dhe në fushën e ndërtimit të rrugëve si edhe Arben Peto, nismëtar i ndërtimit të këtij teleferiku, inxhinier pyjesh.

Karakteristikat e teleferikut

1- Gjatësia 4182 metra

2- Shpejtësia e lëvizjes 5 metra për sekondë

3- Numri i kabinave 22 kabina

4- Kapaciteti në orë 360 persona

5- Kapaciteti për kabinë 8 persona

6- Koha e udhëtimit 2 minuta

7- Disniveli 812 metra

8- Çmimi 5 euro

9- Stacioni i poshtëm Qesarak

10- Sipërfaqja e përgjithshme 6000 metra katrorë

11- Sipërfaqja e ndërtuar 1100 metra katrorë

12- Rrugë dhe sheshe 1650 metra katrorë

13- Parking 1000 metra katrorë

14- Sipërfaqja e gjelbëruar 2250 metra katrorë

15- Stacioni i sipërm Sheshi para ish-kampit të pionerëve

16- Sipërfaqja e përgjithshme 3000 metra katrorë

Raste të aksidentuarish nga lartësitë në Tiranë

Teksa ngjitej në skelën e ndërtimit për të vijuar suvatimin e pallatit shumëkatësh diku në rrugën “Komuna e Parisit”, Beqir Shehu nuk e mendonte se po kalonte minutat e fundit të jetës. 50-vjeçari ra nga armatura prej dërrase e katit të pestë drejt e në tokë, duke vdekur në vend. Punëtorët e tjerë nuk mund të bënin tjetër veçse të lajmëronin policinë dhe pronarin e godinës në ndërtim. Gëzim Marku ka humbur jetën në të njëjtën rrugë, pra te "Komuna e Parisit". Punëtori i ndërtimit ra nga skela e një pallati shumëkatësh që po ndërtohet atje. Burime të besueshme nga policia bëjnë të ditur se i ndjeri humbi drejtpeshimin si pasojë e temperaturave të larta, në të cilat ishte i detyruar të punonte. Shokët e tij thanë për grupin hetimor se e kishin parë Markun të binte nga kati i 5-të i karabinasë, pa mundur t'i jepnin asnjë ndihmë. Hysen Fuçia, nga Yrsheku, humbi jetën duke rënë nga një lartësi prej 3 metrash. Burime policore bëjnë të ditur se kryefamiljarin e panë teksa vdiste të gjithë të afërmit e tij. Ata thanë për policinë se viktimës i kishte rrëshqitur këmba në një tjegull të zhvendosur nga rendi i zakonshëm. Nuk pati asnjë mundësi të peshonte me gjymtyrë diku tjetër, pasi gjithçka qe zhvilluar në pak sekonda. Në tokë kishte rënë ende me frymë, por kjo nuk zgjati për shumë kohë. Sadik Ferati ka qenë duke punuar në një nga objektet në ndërtim atypari, pranë Kodrave të Liqenit, kur ka humbur drejtpeshimin. 65-vjeçari, ndonëse kishte shumë vjet që ushtronte zanatin e mjeshtrit të ndërtimeve, nuk mundi ta mbante ekuilibrin. Si pasojë rrëshqiti dhe ra nga skela ku kishte hipur. Të njëjtat burime saktësojnë se, Ferati ra në tokë i plagosur rëndë dhe punëtorët e tjerë e dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak. Durim Lika, 33-vjeçari nga fshati Ibë, ka qenë duke punuar majë skelës në një godinë në ndërtim, prapa shkollës private "Kristal", kur ra në dysheme. Ndonëse është dërguar menjëherë në spital për të marrë mjekim, Lika nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Ai ka dhënë shpirt pak minuta pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak. Bluzave të bardha nuk u ka mbetur tjetër, veçse të dërgojnë trupin në morg. 3 punëtorë vdiqën muaj më parë, kur ranë nga një pallat buzë lumit të Lanës, ndërsa një javë më parë vdiq një bojaxhi, që ra nga skela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›