E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorcet, në 3 muaj, 555 kërkesa të pranuara në gjykatë

12/06/2005  TIRANË – Një nga çështjet më të diskutuara në Gjykatën e Tiranës, janë divorcet. Është gjykata më e madhe në vend dhe në këto kushte edhe numri i divorceve është më i madh. Gjyqtarët shprehen të shqetësuar për këtë problem, ndërsa pohojnë se askush nuk dëshiron të pajtohet, edhe pse bëhet një tentativë. Shkaqet janë të ndryshme. Por problemi kryesor mbetet gjendja e rënduar ekonomike. Çiftet, pasi martohen lindin fëmijë, nuk janë në gjendje të përballojnë jetën e vështirë ekonomike. Në këto kushte i futen rrugës së keqe, ose largohen jashtë vendit, duke mos dashur të kenë përgjegjësi mbi vete. Statistikat tregojnë se shumica e çifteve të divorcuara në gjykata kanë sjellë si shkak gjendjen ekonomike, e më pas largësinë. Për tre muajt e parë të këtij viti, shifrat në Gjykatën e Tiranës janë në rritje, krahasuar me vitin e kaluar. Kështu për këtë periudhë janë regjistruar 389 kërkesa për divorc. Ndërkohë nga viti i kaluar kanë qenë të mbartura 165 kërkesa me të njëjtin objekt. Gjithsej janë 555 kërkesa, pa futur këtu ato që kanë ardhur pas tremujorit të parë. Gjykata ka pranuar për shqyrtim nga kërkesat e reja 286, ndërkohë që ka prishur 85 prej tyre për shkaqe të ndryshme. Për këtë pikë, gjyqtarët shpjegojnë se pas prishjes nga ana e gjykatës, palët e bëjnë prap kërkesën. Mësohet se nga të gjitha kërkesat e depozituara, asnjë prej tyre nuk është pajtuar dhe asnjë tjetër nuk është rrëzuar. Janë përfunduar deri tani së shqyrtuari dhe me zgjidhje 371 çifte. Ndërkohë, 184 ende nuk janë përfunduar. Mosha e çifteve, të cilët kërkojnë divorc, është e ndryshme. Dominon mosha mesatare 30–45 vjeç. Por ka raste që para gjykatës kanë sjellë kërkesat për divorc edhe çifte në moshë të madhe. Të gjitha kërkesat zgjidhen brenda një afati kohor të përcaktuar. Koha më e gjatë për të bërë një zgjidhje martese është deri në 6 muaj. Pasojat, sipas gjyqtarëve, janë të rënda. Ata që i vuajnë janë fëmijët. Vetëm një pjesë e vogël e çifteve që zgjidhin martesën janë pa fëmijë. Pjesa më e madhe e fëmijëve dëshirojnë të qëndrojnë me nënat e tyre. Në pak raste prindërit kërkojnë kujdestarinë, duke paraqitur si preteks gjendjen ekonomike të rëndë të nënës. Megjithatë, me ligj, fëmija deri në moshën 10 vjeç i takon nënës për ta rritur. Pas kësaj moshe gjithçka i mbetet në dorë fëmijës për të vendosur.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›