Dëshira Noka dhe ushtari vrasës, nuk vuajnë nga sëmundje mendore
12/06/2005 Dëshira Noka, e cila akuzohet për vrasjen e burrit të saj dhe ushtari i Batalionit të Xhenios në Babrru, Naim Avdia, i akuzuar për vrasjen e një të mituri, nuk rezultojnë të kenë probleme psikike. Për shkak të veprave të rënda penale që ata kanë kryer, Prokuroria pa të arsyeshme që dy të pandehurit t’i nënshtroheshin një ekspertize psikike, për të vërejtur nëse ata vuanin nga devijacione të sjelljeve. Kjo, pasi mënyra që ata kanë përdorur në ekzekutimet e kryera, është jo e zakontë. Burime pranë Prokurorisë kanë pohuar dje, se nga ekspertimi psikik që është ushtruar mbi dy të pandehurit, është konkluduar se ata nuk vuanin nga ndonjë problem mendor. Vrasjet që kanë kryer të pandehurit nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. Dëshira Noka akuzohet për vrasjen e burrit të saj, Avdi Nokës, në dhjetor të vitit 1999. Nga hetimet rezultoi se, pasi e kishte ekzekutuar burrin e saj, Noka e kishte groposur më shumë se dy metra në dhe në oborrin e shtëpisë së tyre. Më pas kishte kërcënuar tre fëmijët që të mos tregonin për vrasjen e babait të tyre. Ka qenë djali i madh, i cili është ndikuar edhe nga xhaxhai i tij, ai që ka treguar gjithë historinë e vrasjes së Avdi Nokës. Sipas tij, atë natë dhjetori, Avdiu ishte kthyer nga puna dhe kishte shkuar për t’u larë në banjën që ndodhej disa metra larg shtëpisë. Bashkëshortja e tij, Dëshira, ka pritur këtë rast dhe e ka ndjekur duke e ekzekutuar me plumb në kokë. Ndërsa më pas e ka qëlluar me sende të forta, që dyshohet të ketë qenë sëpatë. Pasi ka kryer krimin, ajo kishte kërcënuar djemtë të mos tregonin, ndërsa vetë ka filluar të hapë një gropë në oborrin e shtëpisë. Të nesërmen ka punësuar disa punëtorë, duke u thënë se donte të hapte një pus uji, të cilët i ka ndjekur dhe në gropën e hapur ka varrosur të shoqin. Ndërsa ushtari i Batalionit të Xhenios së Ushtrisë në Babrru, Naim Avdia, akuzohet për vrasjen e 17-vjeçarit Afrim Versuli dhe plagosjes së 18-vjeçarit Dashamir Gjoni. Dy të miturit mblidhnin shpeshherë mbeturina hekuri në repart, ndërsa ishin grindur dy ditë para ngjarjes me Avdinë. Vetë i pandehuri pohoi para hetuesve se viktimat e kishin ofenduar dhe se kishte qëlluar në gjaknxehtësi e sipër. E.H.