Lirohen nga gjykata grabitësit e banesave në Tiranë
12/06/2005 TIRANË – Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dje tre adoleshentë, të cilët akuzohen se në periudha kohore të ndryshme kanë grabitur disa banesa në zonën e Kinostudios në kryeqytet. Janë vetëm nga 16 vjeç, por nga ana e policisë njihej si kontigjent krimi. Vendimi u dha dje nga gjyqtarja Kaçe Agolli. Kërkesën për t’u lënë në arrest shtëpie dhe një prej tyre detyrim paraqitje, e bëri përfaqësuesi i akuzës. Tre adoleshentët u mbrojtën para gjykatës nga avokati Lin Alia. Nuk e kanë pranuar akuzën, megjithëse nga ana e policisë sendet e grabitura u janë gjetur në banesa. Në një shtëpi kanë vjedhur 400 mijë lekë të vjetra si dhe disa euro. Kanë vjedhur bizhuteri e sende me vlerë. Nuk është përcaktuar ende se sa shkon shuma e sendeve të grabitura nga adoleshentët, të cilët e kishin kthyer në modë. Ndërkohë nga ana e gjykatës thuhet se, prokuroria nuk ka patur prova të plota për të lënë në burg adoleshentët me akuzën e grabitjes. 16-vjeçari I.D., para gjykatës ka shprehur shenja ankthi. Ndërsa dy të tjerët, Xhiljan Hoxha dhe Bruno Dule, përkatësisht 19 dhe 21 vjeç, nuk e kanë pranuar. Kanë qenë kontigjent dhe në kohë të ndryshme kanë grabitur familje të ndryshme. Vetëm në dy muajt e fundit kanë grabitur tri banesa. Mendohet se bashkë me ta ka edhe persona të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar.
Alma Çuka
Alma Çuka