Maradona: Kasano është më i madhi
12/06/2005 Dita e djeshme ka qenë shumë e veçantë për Romën, sepse në Trigoria ka ardhur Diego Armando Maradona për vizitë. Fenomeni argjentinas, pas natës së paharrueshme në Napoli, ka shkuar në qendrën stërvitore të skuadrës verdhekuqe për të sponsorizuar projektin e bamirësisë që përfshin edhe Totin, Kasanon e Kufrenë dhe shërben për të ndihmuar një fëmijë që ka probleme të rënda me sytë. Maradona ka ndjekur edhe stërvitjen e verdhekuqve, ndërkohë që më pas ka biseduar me disa nga lojtarët e Romës. Toti rrëfeu më vonë se kur po shkonte drejt kampionit argjentinas, po i dridheshin këmbët nga emocioni. Por mbi të gjitha ka qenë dita e Antonio Kasanos, i cili është cilësuar nga Maradona si pasardhësi i denjë i tij. “Më ka lënë gjithmonë një përshtypje të shkëlqyer dhe më ka rënë në sy që kur ka qenë shumë i ri”, tha Maradona për Kasanon, ndërkohë që më pas i ka dhënë edhe disa këshilla: “Ai duhet të kuptojë rrugën që po ndjek, por mbi të gjitha rëndësinë e respektit për shokët e skuadrës. Ai është një lojtar i madh dhe mund të bëhet absolut, ndaj nuk i kam dhënë shumë këshilla”.