Përleshen me grushta faturinot e linjës Kinostudio-Kombinat
12/06/2005 TIRANË- Faturinot e autobuzave të linjës shtetërore Kinostudio-Kombinat, përleshen me grushta për kohën e qëndrimit te stacioni i "Medresesë". Dje në orën 17.00, përballë ndërtesës së Komunitetin Mysliman, Sajmir Jonuzi, faturino në njërin prej autobuzave u qëllua me grushta nga kolegu i tij i quajtur Bashkim, i cili pas sherrit u largua me vrap, duke lënë të shtrirë në asfalt e të gjakosur Jonuzin. Një makinë e rastit e dërgoi menjëherë në spital, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rënduar, pasi fillimisht atij i ra disa herë të fikët, në derën e autobuzit. Në vendngjarje ishin parkuar dy autobuzat, ku njëri prej tyre kishte targat TR 4965 D, ndërsa tjetri TR 0475 E. Forcat e patrullave të "Shqiponjave" mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes, por pa mundur të kapin Bashkimin, autorin e ngjarjes, i cili tashmë është person në kërkim. Nga ana tjetër mjekët e spitalit thanë se, do të shihet mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale për Jonuzin, pasi gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitej e mirë. Sipas vetë të pranishmëve, dy faturinot e kishin nisur sherrin, që në nisjen e autobusave në Kinostudio, ndërsa me mbërritjen e tyre në stacionin e "Medresesë", Bashkimi kishte shkuar në autobusin tjetër, ku filloi të godiste me grushta kolegun e tij, për shkakun e vetëm të vonesës së qëndrimit të autobuzit, në këtë stacion.
M.Mullai
M.Mullai