E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: “Marrëveshje e re me Amerikën për ekstradimet”

12/06/2005  Kryeprokurori i SHBA-së, Gonzales, ka garantuar më shumë mbështetje e bashkëpunim

TIRANË - "Ne shkuam në takim me një propozim konkret bashkëpunimi, që ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje të re për ekstradimet, pasi ajo e vitit 1933, e cila ka funksionuar edhe kohët e fundit, duhet t’u përshtatet zhvillimeve të kohës. Kërkesa e bërë nga ana jonë, u mirëprit nga ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Alberto Gonzales. Nga ana e tij, vetë Gonzales garantoi më shumë mbështetje, më shumë bashkëpunim dhe më shumë projekte të përbashkëta, të cilat kanë në thelb zbatimin e ligjit". Pas takimit disaditor që zhvilloi ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, në Amerikë, tha se është bërë e mundur nënshkrimi i një marrëveshjeje të re për ekstradimet. Deri tani ka patur shumë vështirësi në zbatimin e ligjit për ekstradimet, pasi operohej me ligjin e vitit 1933, që në shumë raste ka paraqitur probleme për drejtësinë. Një problem i tillë është hasur edhe në momentet e kërkesës për ekstradim të Bernard Martinaj, i cili kërkohej nga shteti amerikan për kryerjen e një vepre penale. Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, tha dje në një konferencë për shtyp se, Shqipëria është partner i besueshëm për Amerikën. Këtë konkluzion, Xhafaj tha se e ka nxjerrë nga takimet që bëri në vizitën e tij disaditore në këtë shtet. Kreu i Drejtësisë shqiptare deklaroi, se gjatë vizitës ka ndarë opinione dhe mendime me zyrtarët më të lartë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në Departamentin e Shtetit, apo edhe në Kongresin Amerikan, lidhur me situatën në sistemin e drejtësisë në vendin tonë, me situatën në vend si dhe programet e bashkëpunimit mes palëve. Gjatë takimit zyrtar që ka patur me Alberto Gonzales (ministër i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm i SHBA) në Departamentin e Drejtësisë, Xhafaj ka diskutuar rreth marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e drejtësisë. Sipas tij, të gjitha nismat dhe reformat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në veçanti dhe nga qeveria shqiptare në këtë fushë, ishin të njohura, të vlerësuara dhe të certifikuara edhe nga partnerët amerikanë, ku një pjesë e mirë e tyre, si ligji për financimin e terrorizmit, apo edhe krimin e organizuar, kanë pasur edhe asistencën e veçantë të ekspertëve të qeverisë amerikane. Në takim është vlerësuar fakti se mes autoriteteve amerikane në Shqipëri dhe institucioneve shqiptare, është krijuar tashmë një frymë partneriteti, e cila ndikon ndër të tjera edhe në çuarjen përpara të të gjithë projekteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›