Bie nga ura provizore, vdes nëna e 5 fëmijëve
12/04/2005 SHKODËR – Një grua ka gjetur vdekjen aksidentalisht, pasi ka rrëshqitur nga një urë e ndërtuar provizorisht. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, bëhet e ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orëve të para të mbrëmjes, 42- vjeçarja Lula Culi ka gjetur vdekjen aksidentale teksa kalonte mbi një urë provizore sipër një lumi. Po sipas të njëjtave burime mësohet se shtetësja Culi, banuese në fshatin Domën, të komunës Gjegjan të rrethit të Pukës, nënë e 5 fëmijëve, kishte qenë duke kaluar lumin për të dalë në anën tjetër, nëpërmjet një një ure jo të mirë. Në kalim e sipër, asaj i kishte rrëshqitur këmba dhe kishte rënë në lumë. Pas vonesës së saj të pazakontë, familjarët e Culit kanë dalë në kërkim. Pasi disa kohë kërkimesh, ata e kanë gjetur gruan pa jetë në lumë, rreth 500 metra nga ura, në të cilën kishte kaluar e afërmja e tyre. Që nga fillimi i këtij viti ky është rasti i dytë që në Qarkun e Shkodrës ndodhin mbytje aksidentale. Pak më shumë se një muaj më parë, dy shtetas ranë së bashku me makinën në të cilën udhëtonin në ujërat e lumit të Bunës, trupat u gjetën disa javë pas mbytjes, pas kërkimesh të shumta nga ana e policisë dhe e familjarëve.