E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pamundësia e vëllait për të bërë fëmije e ktheu dashurinë e tyre në urrejtje“

12/04/2005  Flet vëllai Tefikut, Sedat Liçolli

KORÇË - Prej vitesh familja e Tefik Liçollit, i cili vdiq nga helmi i miut në kafen e mëngjesit, ishte përgatitur për një ngjarje të rëndë. Nusja e tyre, Ditera, kishte kohë që shfaqte shenja skizofrenie dhe me burrin e saj grindej çdo ditë. Njeriu më i afërt i kësaj familjeje ishte vëllai i Tefikut, Sedati. Ai thotë se gruaja kishte probleme serioze dhe se duhej ta kishte përgatitur me kohë planin për të helmuar burrin. Ai tregon për momentin kur gjeti të vëllanë duke dhënë shpirt dhe qetësinë e kunatës së tij që justifikohej se i shoqi ishte rrëzuar nga shkallët. E historia e këtij çifti nga martesa e deri te tragjedia tregohet nga vëllai i viktimës, Sedat Liçolli.

Si e shpjegoni veprimin e kunatës suaj, Diterës, e cila vrau të shoqin?

Ditera vuante që prej 15 vjetësh nga probleme të shumta mendore dhe çrregullime të personalitetit. Ishte shumë nevrike dhe grindej me Tefikun për gjëra të kota. Herë pas here ishim të detyruar ta shtronim në spital, por e keqja ishte se ajo nuk pranonte të mjekohej. Para 10 vjetësh, në shtëpinë tonë ka ardhur vëllai i Diterës, i cili duke parë gjendjen mendore dhe mënyrën e sjelljes së saj e ka marrë dhe e ka shtruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Por vëllai im nuk mund të rrinte dot larg saj dhe shkoi për ta marrë dhe për të kaluar jetën me të. Madje, ai shpresonte se ajo do të bëhej më mirë më kalimin e kohës, por për fat të keq nuk ndodhi kështu. Ne nuk mund të kundërshtonim vendimin e vëllait tonë, pasi ai e donte shumë Diterën. Kishte raste kur ajo ishte mirë, sillej shumë ngrohtë me ne dhe të shoqin, por humori i saj ndryshonte brenda sekondës, dhe në pamje të parë dukej sikur s’kishte asnjë lloj problemi. Në shumicën e rasteve si rrjedhojë e sëmundjes, ajo grindej vazhdimisht me Tefikun.

Thuhet se Diterës i është shfaqur kjo sëmundje pas tetë vjetësh martesë. Çfarë mendoni se ka ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje?

Ata nuk kishin fëmijë dhe nga analizat e kryera prej tyre kishte dalë që vëllai im nuk mund të bënte dot fëmijë. Ditera e dëshironte shumë një fëmijë nga Tefiku, por kjo mbeti thjesht një ëndërr që s’u realizua kurrë. Nga ana tjetër mendoj se në kohën e komunizmit, ne ishim të presekutuar, vuajtje këto të cilat më shumë se ne i hoqën Tefiku me Diterën. Për gati 8 vjet, ata ishin të internuar në Grabjan, të Lushnjës. Pak a shumë dihet se ç’vështirësi mund të kenë hequr atje. Kështu që Ditera duke mos qenë aq e fortë për t’i përballuar ato pati menjëherë çrregullime mendore.

Ditera grindej shpesh me vëllanë tuaj?

Që pas shfaqjes së sëmundjes, Ditera nuk ishte asnjëherë e kënaqur nga bashkëshorti i saj. Kërkesat ishin gjithnjë e në rritje, duke filluar që nga udhëtimet e ndryshme e deri në mobilimin e shtëpisë. Pothuajse çdo ditë e akuzonte të shoqin kot më kot. Gjente çdo lloj motivi banal për t’u zënë me të, si për t’ja hedhur atij fajin për atë që i kishte ndodhur gjatë jetës së saj. Në shtëpinë e tyre, vështirë se gjeje ndonjë ditë ku nuk dëgjoheshin të thirrura nga Ditera. Nga viti në vit, ne filluam të vërenim se ajo ushqente një ndjenjë urretjeje për bashkëshortin e saj, aq sa donte t’ja nxinte jetën. Kishte kriza të njëpasnjëshme. E keqja ishte se vëllai im, duke qenë njeri i urtë, nuk ja prishte për asnjë gjë, madje ndihej keq në qoftë se nuk bënte ndonjë gjë sipas dëshirës së saj. Nuk kam për ta kuptuar kurrë sjelljen e vëllait tim. I flisja shpesh, por ai nuk më dëgjonte.

Me se jetonte çifti?

Ditera nuk punonte. Ajo ishte ne kemp, kurse vëllai kishte dalë në pension të parakohshëm dhe merrnin afërsisht gati 120 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Por vëllai im duke parë kërkesat gjithnjë e në rritje të së shoqes, vendosi edhe për të zbritur në qytet për të shitur qumësht dhe gjithçka e bënte për t’ja plotësuar dëshirat të paktën me aq sa kishte mundësi bashkëshortes së tij, pasi për të familja ishte e shenjtë.

Si e pritët vdekjen e vëllait tuaj?

Kjo ishte vërtet një e papritur. Jemi çuditur të gjithë, pasi Tefiku nuk vuante nga asnjë lloj sëmundjeje fizike. Kur arritëm ne në shtëpi, vëllai ishte duke dhënë shpirt dhe prej tij nuk mund të mësonin asgjë rreth asaj që mund të kishte ndodhur. Ndërsa Ditera ishte shumë e qetë. Ajo sillej sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Me qetësinë më të madhe, na thotë se ai kishte rënë nga shkallët, pasi i ishin marrë mendtë. Por ne nuk e besuam. Vazhduam t’i bënim pyetje të tjera dhe më pas na tha se dyshonte se mund t’i kishte rënë infrakt. Menduam që do kishte ndodhur ndonjë gjë tjetër, dhe për këtë vendosëm që ta shpiem në spital. Me sa duket në të njëjtin mendim me ne ishin edhe mjekët, të cilët vendosën për t’i bërë ekpertizën, duke dalë në dritë edhe shkaku u vërtetë i vdekjes së vëllait tonë.

Tani për ju Ditera është një fatkeqe apo një vrasëse?

Ajo është një kriminele. Si mundi t’ja bënte këtë vëllait tonë, i cili e ka mbajtur kaq afër sa s’ka më. Ai ishte një njeri shumë i mirë dhe nuk e meritonte një fund të tillë. Shpresojmë që ajo të dënohet me dënimin maksimal, ose të mbyllet në një çmendinë, sepse vend tjetër për të nuk mund të ketë.

Fshatarët keqardhje për viktimën e të afërmit e tij

“Medet çfarë ju ndodhi...”

Gruaja, që helmoi bashkëshortin e saj, mëngjesin e së shtunës, duket se ka qenë në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike. Vëllai i viktimës, në fshatin Kuç i Zi, në rrethin e Korçës, Sedat Licolli, është ai që pret e përcjell njerëz për ngushëllim. Nuk do të flas. Duket se ka qenë në pritje të gjithçkaje, por jo deri në vdekjen e të vëllait. Fytyrën e ka të mbuluar nga lotët. Më pak zë thotë se e kishte paralajmëruar Tefikun, “po nuk më degjoi, sillej shumë mirë”.

Ngjarja në fshatin Kuç të Zi ka tronditur banorët.

“Është hall i madh, medet çfarë iu ka ndodhur atyre. Tefiku ishte njeri i mirë“, thotë një banor në hyrje të fshatit. Të gjithë fshatarët janë mbledhur për të ngushëlluar të afërmit e viktimës te shtëpia e të vëllait, Sedatit, pasi ajo e Tefikut është e kyçur dhe e tillë do të mbetet.

Precedentët

8 korrik 2004

Rreh burrin me hekur,e hedh në kanal

BERAT - Një grua ka rrahur burrin e saj 30-vjeçar, i cili ka marrë plagë të rënda në trup si pasojë e goditjes me shufër hekuri, të cilën gruja e përdorte për të shkundur tapetet. Ka qenë 40-vjeçarja Mako Bajrami, e cila, ka rrahur me shufër hekur burrin e saj, Qazim Bajrami, të cilin më pas e ka hedhur në një kanal, rreth 10 m larg shtëpisë. Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë shkuar në lagjen “Pjeshkore”, ku ndodhej shtëpia e viktimës dhe kanë verifikuar se në banesën e tij nuk kishte njeri, ndërsa kanë nisur kërkimet në anët e lumit Osum. Pasi e kanë gjetur të goditur dhe në gjendje të rëndë, policia e ka çuar viktimën në shtëpinë e prindërve të tij. Pas kësaj policia ka shkuar në shtëpinë e prindërve të gruas së Bajramit dhe ka kërkuar që të shoqëronte në komisariat 40-vjeçaren, e cila ishte larguar nga banesa nga frika e policisë.

1 shkurt 2005

Dy thika vdekjeprurëse pas shpine burrit të saj

BERAT – Pas një grindjeje familjare të vazhdueshme, një grua 37-vjeçare ka vrarë burrin e saj 63-vjeç, në banesën e tyre, jo më larg se 50 metra nga komisariati i policisë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “30-vjetori”. Elvira Bazonja, pas një grindjeje të radhës me bashkëshortin e saj, Rakip Bazonja, e ka goditur këtë të fundit nga pas shpine me thikë, duke e lënë të vdekur në vend. Ditën e krimit, mësohet se, që herët në mëngjes, burrë e grua ishin grindur, madje në prezencë edhe të djalit të tyre të vetëm, Manuelit. Grindja ka arritur deri atje sa burri e ka kërcënuar gruan se do ta vriste dhe më pas ka dal nga shtëpia. Por sa po ka dal nga porta e shtëpisë, gruaja me një thikë buke me majë të mprehtë e ka qëlluar nga pas në shpatullën e djathtë. Pas kësaj, burri ka vazhduar rrugën përreth 20 metra dhe në afërsi të komisariatit, ka rënë përmbys i mbytur në gjak.

5 prill 2005

Zhvarroset kufoma e burrit të vrarë 6 vjet më parë

TIRANË - Zbulohet kufoma e dekompozuar dhe e copëtuar e një 48-vjeçari, e varrosur dy metra thellë në oborrin e ish-banesës së tij, në Laprakë të Tiranës. Prej afro gjashtë vjetësh, rezultonte i zhdukur, ndërsa bashkëshortja e tij kishte pohuar në polici se burri i saj, Avdi Noka, ndodhej në Greqi. Kanë qenë djemtë e viktimës, të cilët e kanë çuar policinë drejt e në vendin ku ai është varrosur. Sipas policisë, si autore e ngjarjes, akuzohet ish-gruaja e tij Dëshira Noka. Nga këqyrja paraprake e kufomës mësohet se ai ishte qëlluar më parë me pistoletë dhe pastaj ishte copëtuar me sopatë. Krimin e kishin parë dy djemtë e çiftit Noka, të cilët vetëm pasi u rritën treguan për skenën dhe vendin e krimit. Sipas dëshmive, dyshohet që çifti të ketë patur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për shkaqe xhelozie. Ish-gruaja e tij akuzohet edhe për një krim tjetër, për të cilin ajo po vuan dënimin në Burgun 325.

7 prill 2005

Bar miu në kafen për të helmuar burrin

KORÇE – Ka mjaftuar pak bar miu në filaxhanin e kafesë, për t’i marrë jetën burrit të saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kuç i Zi të rrethit të Korçës. Bashkëshortët Tefik dhe Ditera Liçolli, kishin mbi 20 vjet që ishin martuar, por nuk kishin lindur fëmijë. Vitet e fundit, mes tyre kishin lindur mosmarrëveshje për vogëlsira, por që sa vinin dhe shtoheshin. Një grindje të tillë duket se kanë pasur edhe ditën e krimit. Tefiku është ngritur në mëngjes dhe ka pirë kafen e servirur nga bashkëshortja. Ai donte të shkonte për të punuar në arë, por papritur nuk e ka ndjerë veten mirë. Filluan t’i merren mendtë dhe më pas, ka pasur edhe dhimbje të forta barku. Gjendja e tij shëndetësore ka ardhur duke u rënduar dhe brenda orës duke u përpëlitur vdiq. Rezultatet e analizave zbuluan se në trupin e Tefikut kishte lëndë helmuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›