E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie niveli i dëmeve të paguara

Muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rënie të nivelit të dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit.

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në tremujorin e parë të vitit 2008 ishte rreth 310 milionë lekë, ose 27.44% më pak se në janar-mars të vitit 2007. Sipas raportit të AMF-së, kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin “Kartoni Jeshil”, ku ka një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 60% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 45%, krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 261 milionë lekë, apo 85% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Ndërkohë importi i makinave të reja ka rritur ndjeshëm të ardhurat te kompanitë e sigurimit. Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008, sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun shqiptar, duke sjellë rreth 64% të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008, ishin rreth 674 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 9.11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, lidhet me rritjen me rreth 12.61% të numrit të kontratave. Rritja e numrit të kontratave shpjegon hyrjen e makinave të reja në Shqipëri. Në periudhën janar-mars 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të “Kartonit Jeshil” arritën rreth 228 milionë lekë, ose 12.99% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 5.74% krahasuar me të njëjtën periudhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›