E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vila 6”, restaurohet pa pyetur pronarët

Zbulohen të tjera dokumente që akuzojnë shtetin shqiptar se është duke shkelur ligjet e veta me të dy këmbët në rastin e çështjes së ambasadës së Kosovës.

Pronarët e truallit mbi të cilin gjendet "Vila 6", e njëjta godinë që Ministria e Jashtme është duke e gatitur si seli të ardhme të ambasadës së Kosovës, kanë konstatuar me habi apo edhe kundërshti, një tjetër problem të madh. Sipas tyre, Ministria e Jashtme, në vend që të qartësojë juridikisht pozicionin e vet përballë kësaj çështjeje, po vazhdon restaurimin e godinës pa iu dridhur syri. Po vazhdon punën, pa e ndërprerë në asnjë çast të vetëm edhe pse ligjet e shtetit e detyrojnë të mos vërë dorë mbi godinën që nga momenti që gjykata është shprehur se pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes së saj. Dhe ky vendim i gjykatës mban datën 02.07.2007, kur Komisioni i Kthimit të Pronave me anë të vendimit numër 137, u ka njohur dhe ka kthyer në natyrë pronarëve të ligjshëm truallin me sipërfaqe 1511 metër/katror të "Vilës 6" dhe njëkohësisht ka njohur në favor të tyre të drejtën e parablerjes së godinës në privatizim. Një vendim që është dhënë edhe me ndihmën e Ministrisë së Jashtme, në kohën kur drejtohej nga zoti Besnik Mustafaj. I cili me anë të një shkrese zyrtare të prillit 2007, i kthente përgjigje Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave se "trualli me sipërfaqe 1511 metër/katror i gjendur në rrugën "Donika Kastrioti" është i lirë dhe se Ministria e Jashtme angazhohet të mos ndërmarrë veprime deri sa nga ana juaj të verifikohen pretendimet e pronësisë së shtetasit Ahmet Resuli". Pra në lidhje me çështjen e pronësisë mbi "Vilën 6", ka pasur një kohë kur shteti nuk i ka shkelur ligjet e veta, përkundër i ka zbatuar ato saktësisht. Por, ministrat ndërrohen, politikat ndryshojnë dhe nxitimi për t'i bërë një dhuratë Qeverisë së Kosovës shkarkohet në kurrizin e disa nënshtetasve në formën e thyerjes së ligjit nga vetë shteti. Për më tepër që pronarët e truallit të "Vilës 6" janë ish-pronarë të goditur nga ish-sistemi komunist që ua sekuestroi të gjitha pronat duke thyer të gjitha ligjet e mundshme. "Në të njëjtën pozitë, si dikur në vitin 1945, jemi duke e ndjerë veten, sikur në fuqi të ketë hyrë ligji nr.25, neni 1, i ish-shtetit komunist shqiptar për sekuestrimin e pasurive të armiqve të popullit dhe të arratisurve politikë", thotë avokati Ridvan Resuli, që është njëkohësisht bashkëpronar i truallit të "Vilës 6".
Avokatura e Shtetit
Njëkohësisht me faktin se godina është duke u restauruar pa u respektuar vendimi i gjykatës, pronarët e ligjshëm kanë vënë re se Ministria e Jashtme nuk ka realizuar asnjë kontakt të vetëm me ta. "Në deklaratën për shtyp të datës 18 prill 2008, Ministria e Jashtme thoshte tekstualisht se, 'MPJ-ja premton se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme me pronarët e truallit, në zbatim të legjislacionit në fuqi', por ne ende nuk jemi kontaktuar nga asnjë zyrtar i Ministrisë së Jashtme dhe kjo, ose është një tallje e rëndë, ose një deklarim sa për të hedhur lumin", thotë avokati Ridvan Resuli. I njëjti ka arritur të sigurojë edhe disa dokumente që rrëzojnë kryekëput pretendimin kryesor të Ministrisë së Jashtme se ajo nuk ka pasur dijeni për vendimin e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave të datës 02.07.2007 që u ka kthyer pronarëve truallin me sipërfaqe 1511 metër/katror të "Vilës 6" dhe njëkohësisht ka njohur në favor të tyre të drejtën e parablerjes së godinës në privatizim. "Ministria e Jashtme thotë se, edhe Avokatura e Shtetit nuk ka pasur dijeni për një periudhë prej 8 muajsh nga dalja e vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave dhe kështu nuk ka mundur të bëjë në kohë apelimin në gjykatë, por unë po ju them se ky është një tjetër falsifikim shtetëror që shumë fatkeqësisht kryhet nga juristë", thotë avokati Resuli. Sipas tij, Avokatura e Shtetit është një nga subjektet të cilat janë njohur në kohën e duhur me vendimin e Zyrës Rajonale të AKPP të Qarkut në zbatim të VKM nr. 51 të datës 07.02.2007. "Unë disponoj dokumentet që vërtetojnë se Avokatura e Shtetit i ka marrë në kohën e duhur këto dokumente, madje në të njëjtën ditë që i kanë marrë edhe subjektet e tjera", vijon Resuli dhe tregon një faksimile të datës 01.08.2007 të Agjencisë së Kthimit të Pronave dërguar Avokaturës së Shtetit si dhe një të dytë që mban datën 01.10.2007. "Ndërsa avokatët e Shtetit dalin e gënjejnë ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, duke i thënë se nuk kemi marrë dijeni. Kjo është shumë e turpshme", përfundon avokati Resuli.              fe.de

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›