E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqimet, rritje masive e çmimeve



Fabiola Çela

Çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur sërish. Kriza botërore e çmimeve të produkteve ushqimore duket se ka dhënë efektet e saj të para në tregun vendas. Në dyqanet e pakicës në kryeqytet, një kilogram oriz kushton 20 lekë më shumë se pak ditë më parë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me çmimet e miellit, sheqerit dhe makaronave. Tregtarët e pakicës në kryeqytet shprehen se rritja ka ardhur nga tregtarët e mëdhenj. Por, sipas këtyre të fundit, shkak për këtë është rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Pavarësisht se i kujt është faji, një gjë është e sigurt, se rrogëtarët dhe pensionistët janë të parët që preken nga ky ndryshim çmimesh. Kjo, pasi edhe blerjet e tyre në treg janë të përqendruara në produktet ushqimore.
Çmimet
Që nga muaji janar i këtij viti, çmimet e mallrave ushqimore kanë pësuar një rritje të vazhdueshme. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e krizës së çmimeve të ushqimeve që ka përfshirë shumë vende të botës. Një rritje e tillë reflektohet ndjeshëm në tregun vendas për vetë konjukturën që ka, pasi kërkesa për konsum për këto produkte plotësohet nga importi. Por për fat të keq kjo rritje duket se s’ka të ndalur. Vetëm pak ditë më parë, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha alarmin e vazhdimit të rritjes së çmimeve në vend. Përballë një situate të tillë, ai i sugjeroi qeverisë që të marrë masa për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, pasi vetëm prodhimet vendase do të mund të zbusnin disi rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore. Por sikur të mos mjaftonte rritja e çmimeve të mallrave të shportës, që nga muaji mars kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë, të cilat kanë ndikuar jo pak në buxhetin familjar të familjeve pensioniste dhe buxhetorëve. Dhe nuk përfundon me kaq, çmimi i energjisë do të rritet sërish. Ndërkombëtarët kanë insistuar që çmimi i energjisë të rritet sërish në verë. Ndërkohë në tregun vendas çmimi i karburanteve vazhdon të ketë tendencë rritje. Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka kapur nivele rekord dhe, kjo rritje pritet të reflektohet së shpejti edhe në tregun vendas. Sipas importuesve, brenda pak ditëve çmimi i karburanteve do të rritet me 10 lekë/litri. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të vazhdojnë të përballen sërish me rritje çmimesh.
Masat
Qeveria do të indeksojë pensionet dhe pagat si një masë kjo për të zbutur rritjen e inflacionit. Ministria e Punës ka propozuar që indeksimi për këtë vit të jetë 3.1 për qind. Por zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar se kjo masë indeksimi do të rishikohet edhe një herë, duke qenë se inflacioni gjatë këtyre muajve ka pësuar rritje. Indeksimi i pagave dhe pensioneve do të kryhet në korrik së bashku me rritjen e parashikuar në fillim të vitit. Në Shqipëri rritja e çmimeve ka një efekt negativ më të madh se në çdo vend tjetër, pasi edhe të ardhurat janë në nivele goxha të ulëta, gati 50 dollarë për frymë. Përballë një situate të tillë, ku rritja e çmimeve të mallrave ushqimore duket se nuk ka të ndaluar, ekspertët e Bankës Botërore i kanë rekomanduar qeverisë që të ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, në mënyrë që të përballojë këtë krizë botërore të çmimeve të ushqimeve. Ata i kanë këshilluar qeveritë e rajonit që të ndihmojnë shtresat më të dobëta të popullsisë në përballimin e këtyre problemeve. Sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si pasojë e situatës së vështirë që është krijuar në shumë vende të botës, rritja ekonomike do të ulet me 0.3 për qind. Më të rrezikuara janë vendet e reja të Evropës, ku bëjnë pjesë ato vende që nuk janë anëtarësuar ende në BE. Këtu përfshihet edhe vendi ynë. Sipas FMN-së, rritja ekonomike në vendet e reja të Evropës pritet të zbutet nga 5.5% në 2008 dhe 5.2% në 2009. Nga 6.9% që ka qenë në vitin 2007. 

Çmimet e ushqimeve

Mielli
Ishte             80 lekë/kg
Bëhet         100 lekë/kg
Sheqeri
Ishte             70 lekë/kg
Bëhet         100 lekë/kg
Orizi
Ishte             80 lekë/kg
Bëhet         100 lekë/kg
Makarona
Ishte             60 lekë/pako
Bëhet         80 lekë/pako

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›