E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarja te PDK, në 10 maj kongres i jashtëzakonshëm

Përçarja në Partinë Demokristiane duket se ka hyrë në një rrugë pa fund, teksa gati 80 anëtarë të këshillit kombëtar të kësaj partie, nga 100 gjithsej, kanë firmosur për të mbledhur kongresin e jashtëzakonshëm më 10 maj.

 Në këtë mbledhje pritet të kërkohet dorëheqja e kreut të PDK-së, Nard Ndoka, i cili është kthyer vetëm dje nga një vizitë jashtë vendit. Në një mbledhje të zhvilluar dje nga Këshilli Kombëtar i PDK-së, janë hedhur akuza të ashpra ndaj kreut aktual të kësaj partie. I ftuar në këtë mbledhje ka qenë edhe kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, i cili nuk ka kursyer akuzat e rënda për ministrin e Shëndetësisë. Sipas ish-kreut të demokristianëve, kryeprokurorja Ina Rama ka në zyrën e saj një tjetër dosje për një nga ish-ministrat e kabinetit qeveritar. "Kushdo që e ka ndyrë dorën në forcën Demokristiane, kushdo që ka marrë tendera të paligjshëm, të pamerituar, emërime të pista, emërime me para, drejtorë me para apo me infiltrime të tjera mafioze, do të shkojë para derës së Burgut 113", është shprehur Lesi. Kritikat në adresë të kreut të PDK-së kanë ardhur edhe nga dy anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi, të cilët falë një marrëveshje mes PDK-së e PD-së mbajnë poste zv.ministrash. Themeluesi i PDK-së, Zef Bushati ka theksuar se, "partia po vuan nga një re që qëndron ende mbi krye dhe që nuk po e lejon të marrë frymë lirisht, që nuk po e lejon të rishfaqet edhe njëherë si një forcë politike me filozofi perëndimore dhe antikomuniste. Reja e paaftësisë dhe njollës së korrupsionit po e asfikson partinë". Ndërsa sipas Gurakuqit, "nëse Nard Ndoka ka ardhur me një synim për ta shkatërruar Partinë Demokristiane, ne nuk do e lejojmë këtë dhe sot do të marrim vendim për të mbledhur kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokristiane, për t'i thënë stop Nard Ndokës dhe klikës së tij". Por i menjëhershëm ka qenë reagimi zyrtar i PDK-së, lidhur me këto akuza të pjesës tjetër të partisë. Ndue Shpani, kryetar i grupit parlamentar dhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, është shprehur se nuk bëhet fjalë për përçarje apo konflikte parimore në këtë partie. Sipas tij, disa prej drejtuesve të lartë të partisë, sa herë që kanë folur publikisht, nuk kanë mbrojtur alternativën Demokristiane, por kanë folur kundër kreut të kësaj partie, Nard Ndoka. "Lidhur me zhvillimet e fundit në PDK, për ne është e qartë se nuk kemi të bëjmë me ndarje dhe as me konflikte parimore. Ju e dini se ish-drejtuesit e grupit parlamentar të PDK-së gjatë 6 muajve të fundit kanë dhënë vetëm 2-3 deklarata politike dhe në çdo rast ato nuk kanë qenë në mbrojtje të alternativës tonë parlamentare, por kundër kryetarit të partisë dhe vetë rolit të PDK-së në jetën politike", është shprehur Shpani. Sipas tij, "gjithashtu është e papranueshme për një parti, që ndonjë zyrtar apo deputet të kërkojë poste drejtuese, ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës ka regjistruar një parti tjetër politike. Askush nuk mund të përdorë siglën e PDK-së për qëllime personale karrieriste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›