E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zef Preçi: “Sa të besueshme janë të dhënat e INSTAT ?!”



Eksperti i pavarur i ekonomisë Zef Preçi, në një koment në media lidhur me anketën më të fundit të publikuar nga INSTAT për buxhetin familjar, i ka konsideruar të dhënat si të “pabesueshme”. Ai këto i ka argumentuar duke u mbështetur në faktet publike të të dhënave të publikuara nga institucione të ndryshme shtetërore por dhe ndërkombëtare për nivelin ekonomik të vendit. Sipas Preçit, “në raportin në fjalë, janë edhe disa tregues në rritje të shpenzimeve familjare që lidhen drejtpërdrejtë me qeverisjen dhe ndikimin e saj në buxhetin familjar siç është rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e inflacionit, etj. Kështu dihet dhe pranohet gjerësisht se niveli i jetesës matet, ndër të tjera, me të ardhurat reale për frymë, gjë të cilën është përpjekur të bëjë edhe INSTAT në anketën në fjalë. Në një konceptim të thjeshtë mbi burimet e rritjes së të adhurave familjare në vendin tonë është e qartë se punësimi, investimet publike dhe prurjet e emigracionit janë elementët përcaktues për një rritje reale të tyre. Siç kanë bërë të ditur dhe zyrtarët e financave kohët e fundit, investimet publike janë në nivele shumë të ulëta (rreth ¼ e vëllimit vjetor deri në fund të Qershorit), ndërsa raportet e Bankës së Shqipërisë flasin për rënien e prurjeve të emigracionit. Po sipas të dhënave zyrtare, të paktën 1 në 5 shqiptarë jeton nën nivelin zyrtar të varferisë (18,5 për qind, 2005) si dhe 540 mijë vetë janë në pension me më pak se 100 dollarë në muaj. Po kaq i vërtetë është edhe fakti se në kushtet e një papunësie të larte siç është rasti i vendit tonë, qeveria është e detyruar të ketë një buxhet përgjithësisht social, të shpenzojë miliarda Lekë për të përballuar ndihmën sociale, në favor të grupeve shoqërore në nevojë, etj. Në të kundërt, nëse papunësia do të ishte e ulët, përfitimet për qytetarët e vendit do të ishin në formën e shtimit të kontributeve nga taksat që mblidhen, në zgjerimin e biznevese, etj. Rritja e nivelit të jetesës shprehet në zgjatjen e jetës, në rritjen e arsimimit të shoqërisë dhe në rritjen e GDP-së për frymë. Me fjalë të tjera, niveli i papunësisë mbetet ndër treguesit më thelbësorë që demonstron standardin e jetesës. Por nëse zgjatja mesatare e jetës në Shqipëri nuk matet por bëhen vetëm projeksione të mbështetura në strategji qeveritare të mbushura me “lista dëshirash”; nëse në periudhën 2005-2007 sipas statistikës zyrtare janë hapur gjithsej vetëm 5770 vende të reja pune ose më pak së gjysmë përqind duke llogaritur edhe efektin e punësimit informal, është e pamundur të besohet rritja e deklaruar nga INSTAT e të ardhurave në buxhetin e familjeve shqiptare”.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›