"Pronësia industriale", kushti i ri i BE-së për kompanitë shqiptare prodhuese
Ervin Koçi
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian në një prej këqrkesave apo standarteve që i ka vënë shtetit shqiptar eshtë dhe formulimi dhe zbatimi i ligjit “Për pronësinë indusrtiale”. Drafti mbi këtë projektligj mësohet të jetë paraqitur ditët e fundit në komisionet parlamentare dhe pritet të marrë formën e plotë ligjore për t‘u zbatuar pas miratimit në Kuvend. Në thelb, ligji i ri synon të respektojë dhe të mbrojë ato marka tregtare për të cilat subjektet kanë marrë licencë ose të drejtë për t‘i tregtuar. Institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij procesi është Drejtoria e Markave dhe Patentave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, por që në gjithë këto vite nuk ka arritur të mbrojë ato marka tregtare që subjekte të ndryshme kanë shpenzuar para dhe kohë për t‘i krijuar. Përfaqësues të kësaj drejtorie, kanë shpjeguar për gazetën se, ku ndryshon ligji i ri me të mëparshmin dhe çfarë parashikon të sjellë në standardin e shqiptarëve. Sipas tyre, rasti tipik u përket veshjeve, markat e të cilave i gjen me çmime të ndryshme, në varësi të markës së tyre të njohur, por ka edhe nga to veshje që i gjen rëndomtë në tregje me çmime të lira, edhe pse janë markë e njohur. “Këto mallra vijnë nga Lindja e Largët (Azia), të falsifikuara dhe u shiten konsumatorëve për mallra origjinalë, sikundër thuhet në gjuhën e përditshme”, - thonë përfaqësuesit e Drejtorisë së Markave dhe Patentave.
Formulimi i projektligjit
Ligji mbi "Pronësinë industriale" është i përbërë nga 36 kapituj dhe rreth 200 nene dhe ka si qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar në fushën e mbrojtjes së markave dhe patentave me atë të vendeve të BE-së. Ky është një nga angazhimet që rrjedh në kuadër të MSA-së (neni 73), përfshirë dhe direktivat e KE-së. Në thelb, ligji synon mbrojtjen e objekteve të pronësisë industriale që janë: patentat dhe modelet e përdorimit, dizenjot industriale, markat tregtare dhe të shërbimit, si dhe treguesit gjeografikë. Në këtë aspekt, një subjekt i licencuar, për të mbrojtur markën e tij nga pirateria, e regjistron emrin te Drejtoria e Markave dhe Patentave, sikundër veprohet me pasuritë e paluajtshme, të cilat regjistrohen në hipoteka. Nëse drejtuesi i subjektit, i cili ka një markë të tijën ose ka marrë të drejtën ekskluzive për të treguar mallra të markave të njohura, mjafton ta regjistrojë atë te DRMP-ja, e më pas t‘u paraqesë institucioneve fiskale pronësinë e markës. Në rastin konkret, doganat, në çastin e kalimit të një malli të falsifikuar, e bllokojnë atë, deri në një moment kur të vendosë gjykata, për kalimin apo jo të tij. Gjatë hartimit të këtij projektligji janë mbajtur parasysh procedurat e reja të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin e Procedurës Administrative. E reja që mund të theksohet në këtë drejtim është se procedurat që parashikohen në këtë projektligj detajojnë më tej masat e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, të para në kontekstin specifik të kësaj fushe. Konkretisht, në këtë projektligj janë të detajuara më tej institutet e sigurimit të padisë, të sigurimit të provave e kështu me radhë, në rast të konstatimit të falsifikimit në një marke ose patente nga një tjetër subjekt.
Tregu
Deri më sot për kontrollin e tregut të brendshëm ka pasur një mangësi ligjore, pasi asnjë organizëm nuk ishte ngarkuar me detyra kontrolli, mbikëqyrjeje për zbatimin e një ligji, i cili edhe ai kishte probleme. Ky “ngërç” i ka detyruar zyrtarët e Komisionit Evropian t‘i kërkojnë qeverisë shqiptare marrjen e masave për mbrojtjen e produkteve të cilat janë të regjistruara me një markë të caktuar. Duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë, aq shumë i përdorur si rrugë tranziti për mallrat e falsifikuara ose të kopjuara si mallra origjinalë marke, KE vendosi që në mënyrë të shpejtë të ndryshojë ligji aktual dhe të forcohen strukturat përkatëse. Për sa i përket hyrjes së mallrave nga jashtë brenda tregut të brendshëm, kjo deri në një farë mase kontrollohej nga doganat, të cilat rast pas rasti ngarkoheshin nga gjykatat ose nga vetë subjektet private për mbrojtjen e interesave të pronësisë industriale, ndërkohë që ky kontroll nuk kishte mundësi të kryhej brenda tregut. Tashmë me ligjin e ri, çdo hallkë për funksionimin e saj është e përcaktuar qartë, ndërsa pritet të dalin rezultatet e para, të cilat në thelb do të mbrojnë markat e njohura dhe do të godasin ato të falsifikuara, me të cilat konsumatori shqiptar e ka gjetur veten më komod.
22 Korrik 2008