INSTAT: “Shifrat ndryshe, për shkak të metodologjisë”
Instituti i Statistikave ka reaguar dje pas komenteve që u bënë lidhur me publikimin e anketës së buxheteve të familjeve. Drejtuesit e INSTAT-it shpjeguan para gazetarëve se ndryshimet e vërejtura në këtë anketë dhe në inflacion kanë të bëjnë me metodologjinë e ndryshme që është përdorur. Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, siguroi se të dhënat për nivelin e inflacionit në vend në muajit mars dhe qershor janë plotësisht të vërteta, përkundër deklaratave të disa subjekteve politike. Sipas raportit të publikuar së fundi nga INSTAT, niveli i inflacionit në mars 2008 ishte 4.4 për qind, ndërsa në muajin qershor 4 për qind, kurse subjektet politike kanë deklaruar përkatësisht shifrat 4,9 për qind dhe 6 për qind. Por, shpjegoi ajo, si pasojë e ndryshimeve metodologjike, peshat e grupeve nuk mund të jenë njëlloj si në shportën e konsumit ashtu edhe në anketë, pasi në shportën e konsumit futen dhe peshat e produkteve, të cilat nuk janë pjesë e vlerës së konsumit si qeraja e imputuar, pajisjet afat-gjata si televizor, lavatriçe, apo investimet kapitale, tha ajo. “Pesha e shportës së inflacionit, e cila ka ndryshuar në dhjetor të vitit 2007 ka dalë nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, e cila u publikua disa ditë më parë nga ky institucion”, -tha Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja. Ndërkohë që në anketë këto shpenzime nuk janë përfshirë. Drejtuesit e Institutit të Statistikave theksuan se nuk ka ndërhyrje politike në shifrat që publikohen nga ky institucion. Sipas drejtoreshës Nurja, “deklaratat se 48 për qind e buxhetit të familjeve shqiptare shkojnë për ushqimet nga 39.2 për qind që është në shportën e konsumit, mund të konsiderohet ose një pretendim politik ose një lexim i mbrapshtë i të dhënave të publikuara nga INSTAT”.
22 Korrik 2008