Varferia “u gelltit” kete vit familjeve shqiptare 3 mijë lekë më shumë
Ervin Koçi
Publikimi i disa ditëve më parë i rezultateve të “Anketës së buxhetit të familjeve” në Shqipëri, është komentuar dhe analizuar nga mjaftë ekspertë të pavarur të ekonomisë. Anketa ka qenë edhe objekt i analizave të institucioneve financiare ndërkombëtare që veprojnë prej vitesh në vendin tonë, dhe e njohin mjaftë mirë dhe nga afër realitetin ekonomik të vendit. Nga sa mësohet, këto të dhëna të INSTAT-it të realizuara në rrugë zyrtare dhe nën mbikqyrjen e ekspertëve të huaj, në disa aspekte kanë patur komentime apo analizime të ndryshme. Kjo gjë jo për të hedhur poshtë shifrat e paraqitura prej Institutit të Statistikave, por për të pranuar gaimet e mundëshme dhe për të kryer më mirë analiza më të thelluara me qëllim, nxierrjen e një konkluzioni për gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ka hyrë vendi. Kjo situatë e vështirë ekonomike e cila është e prekur nga çdo qytetar i nivelit mesatar shqipëtar, përveç ekspertëve të pavarur të ekonomisë, është pranuar dhe nga institucionet kryesore ekonomike të vendit, të cilat nuk mund të maskojnë ato shifra që janë reale dhe që kuptohen edhe nga një mendje më pak e zgjuar se ajo e një eksperti. Por komentet lidhur me këtë anketë të bërë së fundmi nga INSTAT-i, duket se nuk janë pranuar nga drejtuesit e këtij institucioni që i kanë konsideruar ato si “sulme politike”.
Realiteti i shifrave
Inflacioni i lartë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, i ka shtuar familjeve shqiptare mesatarisht edhe rreth 3 mijë lekë çdo muaj shpenzime. Sipas të dhënave të INSTAT, konsumi i familjes mesatare (4 anëtarë), në Shqipëri vitin e kaluar ishte rreth 69 mijë lekë në muaj, ndërsa këtë vit, çmimet u rritën zyrtarisht me 4 për qind, gjë që solli edhe rëndimin e buxhetit familjar me kosto plus. Nga llogaritë, rezulton se vetëm për ushqimet, familjet e shtresës së mesme në Shqipëri shpenzuan 2 mijë lekë më shumë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimit të ushqimeve bazë “bukë, makarona, oriz etj”. Transporti, për të cilin familjet shqiptare shpenzojnë mesatarisht 4 mijë lekë të muaj, u rrit me 530 lekë si shpenzim. Kështu, llogaria prej 3 mijë lekësh në muaj, vlen për mesataren kombëtare. Por llogaritë tregojnë se familjet e varfra, janë dënuar nga inflacioni shumë më tepër sesa familjet e pasura. Familja e zakonshme në Shqipëri shpenzon 45.4 për qind për ushqime, por familjet me tre fëmijë, çiftet pa fëmijë apo familjet me një prind, shpenzojnë për ushqim gjysmën e buxhetit të vet. Nga ana tjetër, familjet e varfra, vlerësohet se konsumojnë për ushqime deri në 70 për qind të buxhetit të vet. Nga shporta e konsumit, grupi i ushqimeve ka pësuar rritjen më të madhe, ndërkohë që zërat e “luksit” si kostoja e veshjeve e këpucëve, kanë pësuar rënie, kjo për shkak të zvogëlimit të fuqisë blerëse, e cila tani duhet të përpëlitet vetëm tek ushqimi i përditshëm.
22 Korrik 2008