“Eagle Mobile”, në fund të muajit Gusht tarifa të reja për qytetarët
Kompania e tretë celulare në Shqipëri “Eagle Mobile”, katër muaj pas daljes zyrtare në treg me sinjal dhe një muaj pas promovimit të markës, ka arritur shtrirjen që garanton mbulim për të gjithë qytetarët shqiptarë. Burime zyrtare nga kjo kompani thanë se, me ngritjen e pikave dhe antenave transmetuese, garantohet një mbulim cilësor i zonave të banuara dhe të gjitha rrugëve rajonale dhe kombëtare, por edhe sigurohet mbulimi me internet të shpejtësisë së lartë bazuar në teknologjinë “EDGE”. Teknologjia “EDGE”, është 5 herë më e shpejtë se ajo që përdoret aktualisht “GPRS”. Është hera e parë që një operator celular në Shqipëri, çon mundësinë e përdorimit të internetit, shkëmbimit të të dhënave dhe mesazheve elektronike (e-mail) në gjithë zonën e mbulimin në territorin e vendit. Gjithashtu me shërbimin më të ri, me kartën “Eagle EDGE USB”, çdokush mund të lidhet me internetin nëpërmjet kompjuterit në të gjitha zonat që mbulohen nga “Eagle Mobile”. Kjo kartë është e përshtatshme edhe për teknologjinë “3G”. Aktualisht ka një shpejtësi prej 236 kbps, por me teknologjinë “3G” kjo shpejtësi arrin në 7.2 mbps. Drejtori i Shitjeve në “Eagle Mobile”, Melik Karabiyikoglu, thotë se “Eagle është një markë që ka si princip dhënien e një shërbimi që ka në fokus klientin, shërbim cilësor, ekonomik dhe pa probleme”. Sipas tij, abonentët mund të gjejnë në stacionet e kësaj kompanie karta rimbushëse për numrat me parapagesë. "Qëllimi është që brenda muajt gusht të çelim 20 dyqane dhe qindra pika shitjeje dhe të arrijmë te konsumatori shqiptar sa më lehtë nëpërmjet këtij rrjeti”, thotë ai. Gjithashtu, ai shton se pas prezantimit të tarifave “Proring”, nisur edhe nga interesi i madh i treguar nga institucionet dhe individët, në muajin gusht jemi të sigurt se do të ofrojmë për qytetarët tanë edhe tarifat e reja individuale që do të jenë po aq tërheqëse dhe të përshtatshme për ta. “Eagle Mobile” konfirmon zyrtarisht se aktualisht mbulon më se 80,55 për qind të territorit të Shqipërisë dhe 95,7 për qind të popullsisë.
22 Korrik 2008