E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie rezerva valutore në 6 muajt e parë të vitit, rrezikohet një rritje e re çmimesh



Ervin Koçi

Me gjithë fluksin e madh të prurjeve valutore këtë verë nga emigrantët dhe turistët që ishin më tepër se vitin e kaluar, përsëri importet e larta të mallrave ushqimore dhe lëndëve të para kanë bërë të tyren. Niveli i lartë i importeve ka bërë që sërish më shumë valutë të dalë jashtë vendit sesa ajo që futet, për pasojë rezerva valutore ka rënë në një masë të ndjeshme. Nga kjo vendit i është krijuar një deficit mjaftë i lartë tregtar i cili do të përkthehej ndryshe në një rritje të re të çmimeve sidomos të artikujve të konsumit por në pjesën e fundit të vitit (tetor-dhjetor). Në rënien e rezervës valutore të autoritetit monetar të vendit ka ndikuar edhe dhënia e kredive në pjesën dërrmuese në valutë. Një sërë faktorësh të tjerë ekonomikë më të vegjël që nisnin që nga rënia e eksporteve në disa zëra të ekonomisë e deri te paratë në sasi më të vogël që dërgojnë emigrantët, përmbyllin shpjegimet se pse rezerva valutore ka rënë dukshëm në pjesën e parë të këtij viti, duke u kthyer në një prej problemeve më të mprehta të ekonomisë së vendit.

Rreziqet në ekonomi

Rënia e rezervës valutore është problematike për ekonominë, sepse ajo rrezikon fuqinë e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor dhe për të ushtruar detyrën e saj (për të blerë dhe shitur me çmim më të lirë valutën me qëllim mosrritjen e madhe të çmimit të saj në raport me lekun). Rënia e fuqisë valutore mund të sjellë rritje të çmimeve, për shkak se mund të ketë luhatje të konsiderueshme të kursit të këmbimit dhe gjithashtu rënia e rezervës valutore mund të bëjë që fuqia e bankave për likuiditet të bjerë. Në gjendjen aktuale, pavarësisht se nuk ka shenja të këtyre zhvillimeve, rënia e rezervës valutore mund të kthehet në një shtjellë të vërtetë për sistemin financiar të vendit dhe për ekonominë në tërësi. Ka shumë kohë që deficiti tregtar i vendit është shumë i lartë dhe thellohet çdo muaj dhe po ashtu ka shumë kohë që prodhimi vendas është mjaftë i vogël para importeve. Një lajm edhe më i keq mbërriti nga Banka e Shqipërisë, e cila tha se prodhuesit me fason domethënë me mall të porositur, të cilët japin 62 për qind të totalit të eksporteve kanë pësuar rënie të mëdha gjatë pjesës së parë të vitit të vitit. Eksportet e tyre ranë me 11 për qind, në një kohë që ekonomia pret kahje tjetër të eksporteve.

Ndikimi i kredive

Kreditë në pjesën më të madhe janë në valutë dhe jo të gjitha ato përdoren për investime, por vetëm një pjesë e vogël e tyre. Një pjesë tjetër e tyre del jashtë vendit për arsye të ndryshme, duke u kthyer në një element shtesë të rënies së rezervës valutore të vendit. Banka Qendrore në vend ka marrë disa herë masa për të mundësuar kthimin e parave drejt bankave, duke rritur normën e interesit, por, megjithatë, këto masa nuk kanë ndalur ritmin e rritur prej kohësh të dhënies së kredive. Masat që Banka e Shqipërisë ka marrë nën presionin e rritjes së çmimeve dhe të inflacionit, mund të thuhet se në njëfarë mënyre ato kanë shërbyer vetëm në ngadalësimin e këtyre fenomeneve, por jo në eliminimin e tyre. Një masë e Bankës Qendrore mund të ishte rritja e rezervës së detyruar të bankave dhe kjo do të luante më mirë rolin e mbajtjes në kontroll të inflacionit, por, në anën tjetër, nuk do të shtrenjtonte kreditë. Kjo mund të ndihmonte dhe në rezervën valutore.

BOX/////////////////////////////////
Importet, rriten zhdoganimet e mallrave të akcizës për muajin korrik

Importimi i karburanteve gjatë muajit korrik 2008 dha ndikimin kryesor në rritjen e mallrave të akcizës, të cilat në total, kapën vlerën e 5 miliardë e 218 milion lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në muajin korrik 2008, importi i mallrave me akcizë zuri 13.9 për qind ndaj totalit të importit, ku peshën kryesore, e zunë nënproduktet e naftës, me 69.4 për qind. Në korrik 2008, u importuan gjithsej 37 miliard e 575 milion lekë mallra, vlerë kjo që rezulton me një rritje prej 22.4 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, dhe 3.3 për qind më shumë, krahasuar me muajin qershor 2008. Akcizat përfaqësojnë tatime me nivele të larta tarifore mbi konsumin e një kategorie të caktuar mallrash dhe aplikohen kryesisht, mbi produktet e dëmshme për shëndetin, mallrat që ndotin ambientin si dhe mallrat e luksit. Në grup-artikujt kryesorë të taksueshëm me akcizë në Shqipëri, përfshihen nënproduktet e naftës, pijet alkoolike, birra, vera etj, duhani dhe nënproduktet e tij, kafeja, lëngjet e frutave, dhe pijet freskuese, si dhe artikujt e kozmetikës, parfumerisë e tualetit.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›