Bursa ndërkombëtare, çmimi i naftës bie nën 108 USD për fuçi
Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar vazhdon të bjerë duke krijuar kështu momente lehtësimi dhe frymëmarrjeje për ekonominë botërore. Sipas agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”, aktualisht, një fuçi nafte blihet me 107,32 dollarë, duke humbur terren në tregun ndërkombëtar. Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar sërish ulje dhe sipas mediave të huaja, çmimi i naftës në bursën e Nju Jorkut arriti dje në 108.70 dollarë për fuçi, 6.76 dollarë më pak sesa të premten. Çmimi i naftës në bursën e Londrës u ul dy ditë më parë, duke shkuar në 107.51 dollarë për fuçi. Rënia më e fundit e çmimeve të naftës vjen në prag të takimit të ministrave të naftës të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës “OPEK”, që do të mbahet më 9 shtator në Vjenë. Gjatë këtij takimi, “OPEK” pritet të marrë vendim për të shtuar prodhimin ditor të sasive emergjente të naftës. Por, ndërsa çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare vazhdon të ulet çdo ditë e më shumë, në tregun vendas çmimi i karburanteve nuk ka pësuar ulje të re dhe ka mbetur në uljen e një muaji më parë. E kundërta ndodh kur çmimi i karburanteve pëson rritje, tregtarët nuk hezitojnë që të rrisin menjëherë çmimin e shitjes.
Ligji “Për TVSH-në”, shtyhet deri në 12 muaj pagesa për makineritë
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, të ndryshuar. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj: ndryshimet parashikojnë skemën e re të shtyrjes së pagesës së TVSH-së, deri në 12 muaj, për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj. Çka do të thotë se, TVSH-ja për këtë kategori nuk paguhet në doganë, në çastin e importit. Projektligji përcakton kriteret dhe procedurat, që do të ndiqen për shtyrjen e TVSH-së, në rastin kur zgjatja e ciklit të investimit dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më e gjatë se 12 muaj.
4 Shtator 2008