Bie shkalla e papunësisë në SHBA
Papunësia në Amerikë ra në muajin mars në nivelet më të ulëta në dy vite, ndërkohë që qeveria amerikane njoftoi se ekonomia pati arritje të madhe në krijimin e vendeve të punës.
Raporti i Departamentit të Punës thotë se shkalla e papunësisë ka rënë në 8.8 për qind, 0,1 për qind më e ulët se sa një muaj më parë, dhe 1 për qind më e ulët se në muajin nëntor.
Ekonomia fitoi 216 mijë vende pune që erdhën nga sektori privat, i cili tejkaloi vendet e punës që humbi qeveria.
Ndërkohë që ekonomia amerikane po e merr veten pas recesionit më të rëndë në dhjetëra vite, tregu i punës ka qenë i dobët në fushat si prodhimi, eksportet dhe fusha të tjera të ekonomisë.
President Barack Obama tha se vendet e krijuara të punës tregojnë se ekonomia po jep shenja të një fuqizimi real. Në një fjalim që mbajti në periferi të Washingtonit, Obama tha se 1.8 milion vende pune janë krijuar gjatë vitit të fundit.
Ai u zotua gjithashtu se do të bëjë të gjitha përpjekjet për vazhdimin e rimëkëmbjes së ekonomisë.