E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie tavani i shkollës

LAÇ - Fati i ka shpëtuar dje 26 nxënës, mësuesja e të cilëve u plagos rëndë nga rrëzimi i tavanit të klasës ku po bënin mësim. Ngjarja ndodhi në fshatin Shullaz të Kurbinit, rreth orës 15:30 të pasdites, ndërsa mësuesja 40-vjeçare Nexhmie Ahmeti po jepte mësim në klasën e katërt të kësaj shkolle. Mësohet se krejt papritur një sipërfaqe e murit të tavanit është shkëputur, duke rënë mbi kokën e mësueses, e cila u plagos rëndë dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. Ishte vetë Ahmeti, që edhe pse e përgjakur, urdhëroi nxënësit të dilnin me shpejtësi jashtë, për të evituar rrezikun dhe për të kërkuar ndihmë. “Kur e kemi parë veten midis mjegullës dhe gjakut që i rridhte mësueses nga koka, menduam se i gjithë tavani do të shembej dhe kemi filluar të ulërasim dhe të kërkojmë ndihmë”, shprehet A, M., një nga nxënësit e kësaj klase, që shpreh frikën e pamasë për të shkuar sërish të nesërmen në shkollë. Sipas të miturve, e njëjta situatë mund të përsëritet prapë dhe ata mund të rrezikohen seriozisht. Menjëherë në shkollë ka mbërritur grupi hetimor i policisë së Kurbinit që po heton për ngjarjen, ekspertë të prokurorisë së këtij rrethi gjyqësor, si dhe kreu i Drejtorisë Arsimore, Pashk Syziu e kryekomunari i Milotit, Vlash Gega. Sipas të dhënave të para, mësohet se shkak është bërë gjendja e amortizuar e shkollës, por për të dhënë detaje do të pritet ekspertiza që do të bëhet në vendin e ngjarjes nga grupi i ekspertëve. “Kjo shkollë ka 15 vjet që është rikonstruktuar. Ndërkohë që nuk ka pasur çarje të tavanit dhe muri është shkëputur menjëherë pa u vënë re asnjë lloj shenje. Ne e kemi pasur në projektet tona edhe ndërhyrjen sa më të shpejtë për rikonstruksion, por mungesa e buxhetit ka bërë që të mos bëhet e mundur”, tha pas ngjarjes kryekomunari Gega. Sipas tij, muret e shkollës janë në gjendje shumë të mirë, problem janë vetëm suvatimet dhe dyert e dritaret. Të njëjtën linjë me Gegën ka mbajtur edhe kreu i Drejtorisë Arsimore të Kurbinit, Pashk Syziu, i cili është shprehur se “ishte në projektet e para rikonstruksioni, por gjithsesi mësimi do të vijojë normalisht që ditën tjetër”.

Precedentët

Aktualisht, shkolla 9-vjeçare në Shullaz, ku mësojnë rreth 400 nxënës, funksionon me dy turne, kjo edhe për faktin që një pjesë e nxënësve udhëtojnë nga fshati Dilbnisht për të zhvilluar mësim në këtë shkollë. Edhe pse në fshatin Dilbnisht vetëm një muaj më parë një fondacion zviceran përfundoi ngritjen e një shkolle, aty mungon numri i nevojshëm i mësuesve, pasi mungon numri i nevojshëm i nxënësve që të nisë mësimi. Edhe një vit më parë në këtë shkollë është shembur tavani i njërës prej klasave, por fatmirësisht kjo ka ndodhur gjatë natës, kur në këto ambiente nuk ndodheshin nxënës e mësues. Ndërkaq, mësohet se dy vjet më parë, një nga banorët e zonës i ka vendosur eksplozivin shkollës, duke dëmtuar seriozisht tavanin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›