Ujërat e zeza mbysin Gjirokastrën
GJIROKASTËR - Ujërat e zeza kërcënojnë seriozisht jetën e banorëve të qytetit të gurtë. Në disa prej zonave të qytetit, si shkak i rrjetit të amortizuar dhe mungesës së investimeve, ujërat e zeza kanë vërshuar në hapësirat mes godinave të banimit, duke kërcënuar kështu seriozisht shëndetin e banorëve që jetojnë në këto lagje. Sipas specialistëve, ky problem ka ardhur si pasojë e tubacioneve me diametër të vogël, të cilët janë vendosur rishtazi, si dhe nga vendosja e tubacionet plastike në parametra joteknikë. “Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në Gjirokastër aktualisht është në gjendje kritike”, tha drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Dashamir Qeli. Sipas tij, probleme të këtij lloji hasen në të gjithë qytetin. Në mjaft raste, kanalizimet e ujërave të zeza të ndërtuara rishtazi nga persona të ndryshëm, të cilët kryejnë ndërtime të reja, janë jashtë të gjithë kritereve dhe normave teknike në këtë drejtim. Punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve shprehen se çdo ditë pranë kësaj ndërmarrje vijnë nga 8 deri 10 njoftime për bllokime pusetash dhe tubacionesh. Vërshimi i ujërave të zeza është problematik edhe për lagjet e sipërme të qytetit të Gjirokastrës. Aktualisht, rreth 60 për qind e banesave në qytet funksionojnë me gropa septike, gjë e cila bën që pas mbushjes së tyre, fekalet dhe ujërat e zeza të vërshojnë përgjatë rrugëve apo shtëpive të banimit. Ky fakt është më problematik në zonat periferike të qytetit, ku pjesa më e madhe e shtëpive të ndërtuara rishtazi janë me gropa septike. “Në disa raste, mjaft ndërtime janë bërë pa marrë miratimin tonë në lidhje me shtrimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, çka bën që në këto raste ato të jenë jashtë të gjithë standardeve, duke rrezikuar ndotjen e ambientit dhe shëndetin e popullatës”, shprehen specialistët. Shpeshherë specialistët e Kanalizimeve të Ujërave të Zeza e kanë të pamundur të ndërhyjnë për të bërë zhbllokimin e pusetave, pasi ndërmarrja nuk disponon një hartë të plotë të shtrirjes së këtij rrjeti në qytetin e Gjirokastrës. “Ndërtimet e reja kanë bërë që të shtrohen me dhjetëra metra kanalizime, por si shkak i ndërtimit të tyre pa lejen e dhënë nga ne, kanalizimet nuk janë të pasqyruara në hartat përkatëse apo në dokumentacionin e nevojshëm teknik”, thanë specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve. Mungesa e investimeve e ka rënduar edhe më tepër situatën tejet problematike të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytet. Ditët e fundit, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka kërkuar ndihmën e këshillit bashkiak të qytetit për akordimin e fondeve të emergjencës, për të kryer disa punime në pusetat dhe kanalizimet e këtij rrjeti në zona të ndryshme të qytetit. “Në mungesë të një fondi kapital, projekte të tilla të vogla mendojmë se do të ndikojnë disi në rikonstruksionin e rrjetit në disa zona të qytetit”, shprehen përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Gjirokastër.