Bie tavani te shkolla “Dora D’Istria”
Reagon MASH: Bashkia të marrë masa të menjëhershme për rishikimin e cilësisë së punimeve, në të gjitha shkollat që ka tenderuar
Bie tavani në një shkollë tjetër të kryeqytetit, dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar, pasi ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës së diel. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Dora d’Istria”, në qendër të Tiranës, një pjesë e suvatimit të tavanit të palestrës së shkollës është rrëzuar dhe menjëherë drejtuesit e shkollës kanë njoftuar drejtorinë përkatëse në Bashkinë e Tiranës. Pas marrjes së këtij njoftimi, bëhet e ditur se punonjësit e Bashkisë kanë nisur shembjen e pjesëve që mund të rrezikojnë sërish palestrën. Por shqetësimi më i madh mbetet bodrumi i kësaj shkolle, i cili prej më shumë se 8 vitesh që kur është bërë rikonstruksioni i saj është përmbytur. “Bodrumi ka 7 vite që mbushet me ujë, që pas rikonstruksionit të shkollës. Vetvetiu ka një rrjedhje uji. Kemi kërkuar vit pas viti që të vijnë e të bëjnë ndërhyrje në bodrum, por vetëm kanë ardhur për të parë. Nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje”, - është shprehur Alketa Kuliçaj, nëndrejtore e shkollës. Në shkollën 9-vjeçare “Dora d’Istria” në Tiranë mësojnë 907 nxënës. Incidenti i së dielës në godinën shkollore është bërë një fenomen i përsëritur, pasi shembje të tilla kanë shënuar edhe viktima në shkollat e kryeqytetit. Pas kësaj ngjarjeje, ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka reaguar duke kërkuar që Bashkia të marrë masa të menjëhershme për rishikimin e cilësisë së punimeve, në të gjitha shkollat që ka tenderuar.
“Ministria e Arsimit shpreh shqetësimin për sigurinë e mbarëvajtjen e shkollës në kryeqytet. Brenda një periudhe të shkurtër, bie përsëri tavani në shkollat e kryeqytetit. Kësaj here ishte shkolla, 9-vjeçare ‘Dora d’Istria’, me 907 nxënës. Po bëhet fenomen i përsëritur rënia e tavaneve të shkollave në qytetin e Tiranës, duke vënë kështu në rrezik jetën e nxënësve dhe të mësueseve, dhe duke krijuar pasiguri në komunitet. Rënia e tavaneve në shkollat ‘7- Marsi’, ‘Petro Nini Luarasi’, dhe së fundi ‘Doria d’Istria’ përbën një ngjarje të rëndë për sigurinë e jetës dhe mbarëvajtjen e mësimdhënies në këto shkolla”, - thuhet në reagimin e MASH-it. Në këto kushte, si institucion përgjegjës për procesin e mësimdhënies, kërkon nga Bashkia e Tiranës, si përgjegjëse për ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e shkollave të kryeqytetit; të marrë masa të menjëhershme për rishikimin e cilësisë së punimeve, në të gjitha shkollat që ka tenderuar, në mënyrë që mësimi të kryhet në kushte normale dhe me siguri për jetën.