E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie trafiku, ish-polici në gjyq për përdhunim vajzash

Haxhi Qelemini, ish-oficeri i policisë së Korçës i arrestuar gjashtë muaj më parë në kryeqytet është dërguar në Gjykatën e Tiranës për t'u gjykuar nën akuzën "marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura". 

TIRANE

 Dosja e tij, që u nis të hetohej nga Krimet e Rënda u transferua në Prokurorinë e Tiranës pasi akuzat fillestare të ngritura ndaj tij në momentin e arrestimit më 10 mars të këtij viti, "shfrytëzim prostitucioni" dhe "trafik të miturisht për prostitucion" nuk u arritën të vërtetoheshin. Kjo, pasi janë analizuar provat e grumbulluaara nga oficerët e policisë gjyqësore në momentin e arrestimit, si dhe deklarimet e dhëna nga vetë i pandehuri, dy viktimat e tij si dhe familjarët e vajzave. organi i akuzës i Krimeve të Rënda i ndodhur përballë këtij fakti e transferoi dosjen në Prokurorinë e Tiranës, dhe pas mbylljes së hetimit aty ajo u dërgua në gjykatë ku pritet të nisë shqyrtimi i saj në fillim të muajit të ardhshëm.
Akuzat
Ish-polici i komisariatit të Korçës u prangos nën akuzën e trafikimit për prostitucion dhe shfrytëzimit seksual të dy vajzave të mitura të moshës 13 dhe 17 vjeçe, motra midis tyre.  Qelemini, 47 vjeç u akuzua të kishte marrë nga Korça dy vajzat dhe i ka shfrytëzuar për të kryer marrëdhënie seksuale me to në një banesë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai po përgatitej për t'i trafikuar ato për ushtrim prostitucioni në ndonjë nga vendet perëndimore. Ish-polici është kapur në një shtëpi private në rrugën "Besa", tek ish-Frigoriferi, pranë nënstacionit elektrik në Tiranë bashkë me dy vajzat, e mitura A.J., 13 vjeçe dhe O.J., 17 vjeçe, duke kryer marrëdhënie seksuale me to. Në momentin e prangosjes ai u akuzua se u kishte premtuar vajzave se do t'i dërgonte në Belgjikë e Itali dhe për këtë iu kishte kërkuar që ta ndihmonin atë për të mbledhur paratë, duke kryer marrëdhënie me klientë të ndryshëm në Tiranë.
Hetimi
Por ndryshe nga kjo hetimi nxori se i ati i vajzave ia kishte dhënë vetë ish-policit të dyja vajzat në Tiranë. Ai duke shfrytëzuar një njohje midis tyre, si dhe faktin që familja e tij jetonte në kushte të vështira ekonomike, i kishte kërkuar Qeleminit që t'i mbante vajzat në Tiranë dhe 17-vjeçares t'i gjente ndonjë punë. Këto deklarime të dhëna nga i ati i vajzave, vetë të miturat si dhe i arrestuari kanë detyruar prokurorët e Krimeve të Rënda, ta transferonin dosjen te kolegët e tyre kryeqytetas, duke zbutur në të njëjtën mënyrë edhe akuzat ndaj të pandehurit. Pas kësaj dosja është mbyllur dhe pak ditë më parë është dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Paraprakisht mësohet se i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues edhe ndaj akuzës së dytë, duke pretenduar se i kishte ndihmuar vajzat dhe se nuk kishte abuzuar seksualisht me to.  f.m.

U shkarkua se braktisi punën
Haxhi Qelemini, ish-efektiv i Policisë së Korçës është pushuar nga puna rreth dy vite më parë, pasi ish-kryepolici i atëhershëm i Korçës kryekomisar Shemsi Prençi, nuk e gjeti në vendin e punës në sallën operative të drejtorisë së policisë. Pasi u konstatua se Qelemini, në atë kohë 45 vjeç, kishte braktisur vendin e punës ku duhej të kryente shërbimin 24 orësh, u vendos lirimi i tij. Qelemini kryente rol drejtues në sallën operative për shërbimet në terren të policisë, ndërkohë ky ka pasur probleme të tjera familjare, pasi ishte i divorcuar.

Qelemini u arrestua me dyshime
Policia e Tiranës menjëherë sapo ka rënë në dyshime se ish-polici Haxhi Qelemini merrej me veprimtari të paligjshme ka bërë arrestimin e tij. Por më pas janë bërë verifikime në Policinë e Korçës dhe është mësuar se familjarët dhe të afërmit e dy vajzave të mitura që u pretendua se shfrytëzoheshin në Tiranë në pritje të trafikimit, nuk kishin bërë asnjë denoncim në polici për zhdukjen e vajzave. Pas kësaj u dyshua për implikim në trafik të familjarëve të vajzave, por edhe kjo mbeti e paprovuar, duke lehtësuar nga akuza ish-policin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›