Bie zjarr në Orikum, dyshohen temperaturat e larta
Zona e Orikumit është përfshirë nga zjarri, ndërsa bëhet e ditur se zona ujëmbajtëse ka ndihmuar në shuarjen e flakëve
VLORË - Temperaturat e larta kanë shkaktuar vatrat e zjarrit edhe në Vlorë. Flakët janë parë në zonën e Orikumit, në rrethina të tij. Me të marrë sinjalizimin, mjete zjarrfikëse janë nisur nga Vlora. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, duke u përhapur me shpejtësi.
Por zona, që është e tipit kënetë, duket se nuk ka pasur problematika referuar dëmeve. Zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë zjarrin duke shuar vatrat e mëdha dhe më pas ata nuk kanë mundur të hyjnë më thellë. Sipërfaqja që ndodhej në flakë aktualisht është në distancë relativisht të madhe me qytetin dhe nuk ka shfaqur rrezik.
Po kështu brenda saj ndodhet bimësi e tipit shkurre, të cilat kanë bërë që zjarri të dukej i përmasave të mëdha, por punonjës të zjarrfikëses qetësojnë për situatën. Sipas tyre, nuk ka dëme dhe flakët janë vënë nën kontroll. Për këtë ka ndihmuar edhe zona ujëmbajtëse.
Gjithsesi, në pamundësi për të hyrë në zonë, mjetet janë larguar, ndërsa katër vatra më të vogla zjarri kanë qenë të dukshme në orët e pasdites. Punonjës të zjarrfikëses, më tepër se zjarrvënieve të zakonshme, kanë hedhur dyshimet e një zjarri të ndodhur për shkak të temperaturave.
Megjithatë ende nuk është shprehur qartë për shkakun. Ky është zjarri i parë pranë kësaj zone, rënë për këtë vit, ndërkohë që zona pranë Karaburunit, vite më parë shumë herë është përfshirë nga flakët.
------------------------------------------------------------------
Tenton të vjedhë lokalin, kapet
ELBASAN - Kur kishte menduar se nuk do të gjente njeri dhe do të vidhte i qetë lokalin, e ka parë veten të rrethuar nga policia. Kështu ka rënë në pranga një 30-vjeçar me banim në fshatin Mollas teksa ishte në brendësi të një lokali në fshatin Mjekës duke vjedhur. Ka qenë pikërisht pronari i lokalit, Etlind Boçi, që e ka zbuluar vjedhësin dhe nuk ka ndërhyrë, por ka lajmëruar policinë.
Duke qenë afër qytetit brenda pak minutash kanë mbërritur në fshatin Mjekës efektiva të shumtë policie dhe vjedhësit nuk i ka mbetur tjetër veç të dorëzohet. Autori njihej si kontigjent i dënuar edhe më parë për vjedhje. Këtë herë i ka "shpëtuar" kësaj akuze dhe do të procedohet për vjedhje të mbetur në tentativë.
----------------------------------------------------------------------
Vetëvaret me kordonin e hekurit 47-vjeçari
ELBASAN - Një 47-vjeçar është vetëvarur me kordonin e hekurit të rrobave në shtëpinë e tij në fshatin Shushicë në rrethin e Elbasanit. Ngjarja është regjistruar në mbrëmje vonë dhe rreth orës 23:30 të së enjtes familjarët kanë njoftuar policinë për vdekjen e shtetasit Selim Terziu. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur agjentët hetimorë për të verifikuar rastin.
Policia ka konstatuar se shtetasi Selim Terziu është mbyllur në një dhomë të shtëpisë dhe aty është vetëvarur në çati me anë të një kablli i marrë nga hekuri i hekurosjes së rrobave. Sipas hetuesve, veç shenjës në pjesën e fytit viktimës nuk i janë konstatuar shenja të tjera dhune.
Burri, që sipas dëshmive, vuante nga probleme nervore, kishte zgjedhur orën e vonë të mbrëmjes kur familjarët e tjerë ishin në gjumë për t'i dhënë fund jetës. Për këtë rast ka nisur procedimi penal për shkaktim të vetëvrasjes dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat është kryer krimi ndaj vetes.