E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arreston hajdutin e bizhuterive

Tre vjedhje brenda ditës ka qenë rezultati i "punës" së Ylber Tafës vetëm gjatë së premtes


DURRËS - Pas disa denoncimesh të bëra në vazhdimësi, policia ka arritur dhe ka kapur në flagrancë një vjedhës që e seleksiononte mallin e vjedhur. Ai kishte preferencë vetëm bizhuteritë e floririt dhe paratë.


Pas arrestimit në flagrancë që i është bërë 24-vjeçarit Ylber Tafa, banues në fshatin Lekaj të Kavajës. Policia pas arrestimit ka konfirmuar se ai është një vjedhës profesionist, pasi ishte i dënuar edhe me parë për të njëjtën akuzë. Sipas bluve, vetëm ditën e prangosjes Tafa kishte kryer disa vjedhje në zonën e plazhit, ku dhe u arrestua në flagrancë.


Nga verifikimet e kryera rezultoi se ai kishte vjedhur në banesën e shtetasit I.Tabaku, në lagjen nr.13, bizhuteri floriri, aparat fotografik. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe në banesën e marrë me qira nga shtetasi N.Rrecaj ku kishte vjedhur të gjitha bizhuteritë e floririt (varëse, byzylykë dhe unaza), si dhe një sasi eurosh.


Po kështu edhe në banesën e J.Jahos, ku veç bizhuterive ishin grabitur edhe një sasi e konsiderueshme parash shqiptare. Duket se synimi i Tafës vetëm për bizhutë dhe paratë e kanë identifikuar atë si autor të vjedhjeve. Në këtë kohë mbipopullimi të plazhit të Durrësit edhe vjedhësit janë bërë "klientë" të rregullt, duke qenë një rrezik për pushuesit.

------------------------------------------------------------

Aksident automobilistik, tre të plagosur në Shkodër


SHKODËR - Aksidentet automobilistike shkaktojnë sërish të lënduar në Shkodër. Tre të plagosur, një prej të cilëve në gjendje kritike për jetën, është bilanci i një aksidenti automobilistik të ndodhur në orët e para të së premtes në aksin rrugor Shkodër-Mjedë, në afërsi të fshatit Juban në Shkodër.


Një motoçikletë tip "Yang" me drejtues shtetasin Aleks Zef Deda, 27 vjeç, banues në fshatin Juban ka dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar rëndë drejtuesi i mjetit, si dhe shtetasit Martin Zef Shpori, 20 vjeç, dhe Alban Jak Ndreka, 28 vjeç, banues në Juban. Të dëmtuarit ndodhen në spitalin rajonal të Shkodrës ku mësohet se Aleks Deda ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët jashtë rrezikut për jetën.

--------------------------------------------------------------------------------------------

Plagoset aksidentalisht marinari 19-vjeçar


SARANDË - Një marinar i plagosur është sjellë mbasditen e djeshme në spitalin "Petro Nako" të Sarandës. Roja bregdetare, 19-vjeçari Maringlen Çaushaj, lindur në Tepelenë dhe banor i fshatit Rusan, i cili aktualisht e kryen shërbimin në repartin ushtarak të marinës në Sarandë, është çuar me urgjencë në spitalin e qytetit, pasi ishte i plagosur me armë zjarri.


Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, dy orë pasi roja bregdetare i plagosur kishte marrë shërbimin. Burime nga komisariati i policisë së Sarandës bënë të ditur se 19-vjeçari është plagosur aksidentalisht në rrëzë të kofshës në këmbën e majtë.


"Plumbi ka prerë aortën kryesore duke i shkaktuar kështu rrjedhje të pandërprerë të gjakut", shprehet burimet e mësipërme. Ndërkohë, burime nga spitali civil pohojnë se marinari ka ardhur në gjendje të rëndë me puls të dobët dhe tension të ulët, gjë që ka vënë menjëherë në lëvizje mjekët dhe pas dhënies së një sasie gjak është transportuar me helikopter për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mjekim të specializuar.

--------------------------------------------------------------------------------------------------

SHKODËR
Sekuestrohen 5826 rrënjë kanabis në fshatin Mazrek


SHKODËR - Fshati Mazrek i komunës Gur i Zi në Shkodër ka qenë për të disatën herë brenda këtij muaji objekt i operacioneve të policisë për identifikimin e asgjësimin e bimëve narkotike. Gjatë operacionit të së premtes janë asgjësuar 5826 rrënjë kanabis sativa.


Kështu, në Shpor, në komunën Gur i Zi, në tokë të shpyllëzuar e pa pronar janë gjetur dhe asgjësuar 4 parcela me 1350 rrënjë kanabis sativa. Në vendin e qujatur "Gjetkukaj", të fshatit Mazrek, në vend të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm u gjetën 2 parcela me 1700 rrënjë bimë narkotike cannabis sattiva. Tek vendi i quajtur Fusha e Qerpikut po në Mazrek të Gurit të Zi është gjetur një parcelë me 1700 rrënjë bimë narkotike.


Në vendin e quajtur "Qafë-Manza" të fshatit Mazrek, u gjetën 4 parcela me 446 rrënjë bimë kanabis. Ndërsa në vendin e quajtur "Viziman" të fshatit Mazrek, në tokë të shpyllëzuar dhe pa pronar të ligjshëm u gjetën 4 parcela me 630 rrënjë bimë kanabis.


Policia ka bërë asgjësimin me anë të djegies së 5826 rrënjëve bimë narkotike, ndërsa në harkun kohor të tri javëve policia e këtij qarku ka asgjësuar 20 989 rrënjë kanabis sativa, nga të cilat 18194 janë gjetur e asgjësuar vetëm në territorin pranë fshatit Mazrek të komunës Gur i Zi.


Arrestohet 25-vjeçari, tentoi të vidhte


TIRANË- Arrestohet në flagrancë një i ri i cili tentoi t'i vidhte portofolin një gruaje në bulevardin "Bajram Curri". Fatmir Bilali, 25 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz u arrestua dje nga policia në afërsi të pallateve "Agimi", pikërisht në vendin që tentoi të vidhte kalimtaren.


Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët kanë lajmëruar policinë për veprimin e tij, ndërsa Bilali është arrestuar pa u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë, menjëherë pas arrestimit atij iu sekuestrua dhe portofoli që kishte vjedhur, ku brenda ndodhej shuma prej 20 mijë lekësh. I arrestuari akuzohet për veprën penale të vjedhjes, ndërkohë që materialet hetimore në ngarkim të Bilalit do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›