Autorët e vrasjes së "Dodës", përdorues droge
ELBASAN/ Hetuesit duket se kanë rënë në gjurmët e ekzekutuesve të ish-agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi
ELBASAN - Vrasësit kanë përdorur drogë para se të kryenin vrasjen e ish-agjentit Roland Rexhepi.
Duket se elementi i ri që iu shtohet hetimeve të ekzekutimit të Dodës ka lidhje pikërisht me atë që ai luftoi ndër vite: lëndën narkotike. Burime të brendshme nga policia bëjnë të ditur se në brendësi të furgonit të gjetur të braktisur dhe të përdorur nga autorët janë zbuluar prova që vërtetojnë se në kohën e qëndrimit, autorët e krimit kanë përdorur drogë.
Sipas të dhënave, në automjetin ku vrasësit kanë pritur daljen e Dodës nga shtëpia, janë gjetur mjete plastike dhe elemente të tjera që vërtetojnë faktin se ata janë përdorues droge. Këto prova janë fiksuar menjëherë pas krimit nga policia.
Zbulimi i elementit drogë pritet t'iu japë një drejtim të qartë hetimeve për ekzekutimin e ish-agjentit të antidrogës, si dhe truprojës së Edmond Kosenit.
Nga ana e hetuesve është përpiluar edhe një listë e përdoruesve dhe janë duke u seleksionuar persona që mund të kenë lidhje direkte me krimin dhe që përdorin lëndë narkotike në qytetin e Elbasanit. Ky fakt e lidh edhe më shumë vrasjen me aktivitetin kundër drogës të ish-agjentit Rexhepi.
Gjithsesi, burime policore rezervohen me fjalët "po punojmë dhe jemi afër zbardhjes së autorëve të krimit". Në verifikim është edhe motori ngjyrë të zezë me të cilin dy personat kanë kryer vrasjen.
Deri tani nga agjentët nuk përjashtohet asnjë pistë. Krahasimi i gjurmëve dhe një punë e mirëfilltë shkencore është duke u bërë për orë të zgjatura nga ekspertë të mbërritur edhe nga kryeqyteti.
Për shkak të hetimit gjithçka mbahet në fshehtësi të plotë. Në hetim është përfshirë gjithashtu edhe një grup prokurorësh. Zbardhja e kësaj vrasjeje është një objektiv i rëndësishëm për policinë e Elbasanit.
Vrasja e organizuar deri në detaje duket se ka "gabime" të cilat për policinë shërbejnë si rrugë që të çon drejt autorëve të krimit. Roland Rexhepi, i njohur me pseudonimin "Doda", u vra mëngjesin e së mërkurës në derën e garazhit të makinës.
Autorët janë parë nga qytetarët, por edhe nga nëna e viktimës, ndërsa ka qenë i pamundur identifikimi për shkak të maskave që përdornin. Ish-agjenti, dikur truproja i Edmond Kosenit, ishte liruar nga detyra për shkak të reformës dhe së fundi punonte si punonjës sigurie pranë stadiumit "Ruzhdi Bizhuta".