E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e të miturit, pranga infermierit të tretë

PAKUJDESIA/ Kostika Karametro është vënë në pranga, ndërsa infermierët e Korçës janë ngritur në protestë


KORÇË - Një tjetër infermier është vënë në pranga nga ana e policisë së Korçës, duke u konsideruar fajtor për vdekjen e 5-vjeçarit Viktor Balliu dhe duke e çuar kështu në katër numrin e bluzave të bardha të arrestuar për këtë ngjarje.


Burime zyrtare nga policia u shprehën se ka qenë prokuroria e Korçës ajo që ka firmosur një tjetër urdhër-arresti e këtë radhë për infermierin Kostika Karametro, i cili akuzohet për "mjekim të pakujdesshëm" pas hetimit të kryer për humbjen e jetës së të miturit të pickuar nga gjarpri.


Ndërkohë, infermierët në spitalin e Korçës janë ngritur në protestë në mbrojtje të kolegëve të tyre të arrestuar, duke u shprehur se ata zbatojnë urdhrat e mjekëve dhe nuk mund të fajësohen për ngjarje të tilla.


Pas denoncimit nga prindërit e të miturit 5-vjeçar Viktor Balliu, prokuroria e Korçës nisi hetimet për rastin. Në përfundim të tyre rezultoi se vdekja e vogëlushit kishte ardhur si pasojë e mosinjektimit të gjilpërës që bëhet në rastet e helmimeve.


Mësohet se bluzat e bardha kishin pretenduar se një ilaç të tillë nuk e kishin në zotërim, ndërkohë që pas hetimeve ishte vënë re se medikamenti ndodhej në farmacinë e spitalit.


Kjo gjë bëri që të jepej urdhri për arrestimin e mjekut anestezist reanimator Ilir Malo, si dhe dy infermierëve Julian Mato dhe Olber Hoxhallari. Por ndërkohë, në pranga është vënë edhe infermieri Kostika Karametro, ndaj të cilit gjithashtu është ngritur akuza e "mjekimit të pakujdesshëm".


Infermierët e spitalit të Korçës dje janë ngritur në protestë duke mos pranuar që të kryejnë detyrat e tyre të përditshme. Ata janë shprehur se nuk mund të akuzohen për mosveprim në rastet kur u duhet të zbatojnë këshillat e mjekut.


"Nëse mjeku shënon në kartelë se pacientit nuk iu bë serumi për shkak se nuk ka, kjo nuk është përgjegjësi e infermierit", janë shprehur protestuesit.


Sipas tyre, kolegët nuk kanë asnjë përgjegjësi, pasi ata zbatojnë udhëzimet që marrin nga mjekët përkatës. Infermierët u shprehën se do të vijojnë protestat derisa të zbardhet e vërteta dhe kolegët e tyre të lënë qelinë si të pafajshëm.


Në mesditën e datës 18 korrik, vogëlushi Viktor Balliu, vëllai i tij më i madh dhe disa persona të tjerë ishin nisur për t'u larë në rezervuarin e fshatit të tyre.


Por rrugës për atje ata kanë kaluar nëpër një arë të mbjellë me jonxhë dhe aty 5-vjeçari është pickuar në kurrizin e këmbës së djathtë nga një gjarpër. Dërgimi i menjëhershëm në spital nuk e ka shpëtuar të miturin, i cili ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së mjekimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›