Bien akuzat ndaj dy djemve të Toçit
Dje, në Gjirokastër, është zhvilluar gjyqi i shumëpritur ndaj dy djemve nga fshati Toç i Tepelenës, për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vendosur dje pushimin e çështjes. Orgen Hasanbejka dhe Luan Halili u akuzuan nga Prokuroria e Gjirokastrës për veprën penale të "organizimit të paligjshëm të tubimeve" dhe në seancën e shkuar u kërkua nga gjykata dënimi i tyre me gjobë në masën e 100 mijë lekëve. Në seancën e djeshme gjyqësore, gjykatësi Shkëlqim Mustafa i ka rrëzuar të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e Gjirokastrës, duke e cilësuar hetimin të nxituar, pasi sipas tij, çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën për të protestuar paqësisht edhe pa lejen paraprake të komisariatit të policisë. "Prokuroria e Gjirokastrës duhet ta kishte pushuar çështjen vetë, pasi dy të pandehurit Orgen Hasanbejka dhe Luan Halili nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale", u shpreh Mustafa gjatë argumentimit të vendimit të formës së prerë, duke nënvizuar se, tubimi paqësor është organizuar larg vendeve publike. "Për sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastrës vendosi që dy të pandehurit të lirohen nga akuzat e ngritura nga prokuroria dhe të gjitha shpenzimet operative i ngarkohen organit të akuzës", ishte vendimi përfundimtar i gjykatësit Shkëlqim Mustafa. Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë ka ndodhur më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorë të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, kanë organizuar një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në një takim panepirot në Konicë të Greqisë. Në këtë protestë u hodhën parulla nacionaliste dhe fyese për dy eksponentët e organizatës së minoritetit grek "Omonia", Vasil Bollano dhe Spiro Ksera. Por asnjë nga këta dy persona nuk u ankua në organet e drejtësisë dhe nuk ngriti padi kundër organizatorëve të protestës. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës nisi një hetim në lidhje me tubimin dhe pasi e konsideroi atë të paligjshëm kërkoi dënimin e Orgen Hasanbejkajt dhe Luan Halilit, si organizatorë. Pas disa muajsh hetime, prokuroria e kaloi çështjen për gjykim, duke ngjallur një reagim të ashpër të shoqatave me karakter nacionalist, të cilat organizuan disa tubime në Tepelenë dhe Gjirokastër, ku u zhvilluan seancat gjyqësore në ngarkim të dy të rinjve nga Toçi. Shoqatave nacionaliste iu bashkuan edhe organizata "Mjaft!" dhe lëvizja G99, ndërkohë që në mbështetje të të rinjve doli edhe deputeti Spartak Ngjela. Edhe dje, kur zhvillohej seanca e fundit në ngarkim të dy të rinjve, përpara gjykatës së Gjirokastrës ishin mbledhur dhjetëra njerëz, të ardhur nga Fieri, Vlora, Mallakastra e Tepelena, si dhe përfaqësues të "Mjaft!" dhe G99. Vendimi i gjykatës për çlirimin e Orgen Hasanbejkajt dhe Luan Halilit nga akuza është konsideruar si një fitore e tyre dhe e mbështetësve dhe ka krijuar një atmosferë festive në Gjirokastër.