Kapet i kërkuari për trafik armësh
Policia e Shkodrës ka arritur të prangosë dje pasdite në periferi të qytetit një trafikant armësh për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masën e arrestit me burg që në vitin 2007. Personi i arrestuar quhet Zamir Kotorri, 43 vjeç, lindur e banues në lagjen "Salo Halili" të Shkodrës. Sipas policisë, ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim që më 15 dhjetor 2007, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, me vendim të 8 dhjetorit 2007, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "Trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake". Burime konfidenciale nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se i arrestuari Zamir Kotrri ishte pjesë e një grupi që trafikonte armë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për pistoleta të disa llojeve dhe me silenciator, ku dy pjesëtarë të këtij grupi trafikantësh të armëve janë arrestuar pak kohë më parë nga Policia Shqiptare.