Përplaset ambulanca, vdes foshnja dhe plagosen 6 pacientë
Aksidentet kanë shënuar dje tre të vdekur, ku në një prej tyre është përfshirë edhe një ambulancë. Dy prej aksidenteve kanë ndodhur në Tiranë, ndërsa ai i ambulancës në Laç, ku mjeti po transportonte për në Tiranë një fëmijë të mitur nga Dibra. Kjo ngjarje tragjike ka sjellë edhe disa të plagosur pas një karamboli mes tri makinash. Burimet policore bënë të ditur se rreth orës 13:10, në superstradën Laç-Fushë-Krujë, në afërsi të karburant EXEEL të Rrethit Kurbin, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku janë përplasur ambulanca me targë DI 3732 A, me drejtues Guri Lalën, 45 vjeç, banues në Peshkopi, mjeti "Mercedes Benz", me targë LA 4707 A, me drejtues Sokol Ndrekën, 32 vjeç, banues në Durrës dhe mjeti "Opel", me targë LE 7714 A, me drejtues Dritan Meklesvanin, 34 vjeç, banues në Shëngjin. Si pasojë e kësaj përplasjeje ka gjetur vdekjen i sapolinduri Samuel Topuzi, i cili po transportohej drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Gjithashtu, janë plagosur edhe pacienti tjetër, Abduhrraman Çeliku, 60 vjeç, i cili po dërgohej në spital dhe shoqërohej nga e shoqja Lule Çeliku, 56 vjeçe, dhe djali Taulant Çeliku, 20 vjeç. Gjithashtu, është plagosur edhe gjyshja e fëmijës së lindur prej tri ditësh, Teuta Topuzi, 55 vjeçe, si dhe infermierja e maternitetit të Dibrës, Fatmira Manreka, 40 vjeçe. Të gjithë të plagosurit janë transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dëmtime ka marrë edhe Sokol Ndreka, drejtuesi i mjetit me targë LA 4707 A, i cili ndodhet në spitalin e Laçit, jashtë rrezikut për jetën. Veç këtij aksidenti të rëndë, një tjetër ka ndodhur në Kavajë. Në orën 3:45, te stacioni i trenit në Golem, Selman Mici, 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjokaj, Bashkia Vorë, duke drejtuar mjetin tip "Mercedes Benz 220", me targa TR 5750 R, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, ku ka dalë në krah të kundërt dhe është përplasur me mjetin kamionçinë tip "Benz 611", me targa KJ 6025 A, që drejtohej nga Qerim Xhelezi, 30 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 3, Kavajë. Si pasojë e kësaj përplasjeje, ka gjetur vdekjen Selman Mici, drejtuesi i njërës prej makinave, si dhe janë dëmtuar Juljana Pici, 24 vjeçe, lindur dhe banues në lagjen nr. 2, Rrogozhinë, pasagjere në veturën me targa të Tiranës dhe Qerim Xhelezi, drejtuesi i mjetit kamionçinë, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet procedurale, ku rezultoi se shkaktar ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e viktimës. Gjithashtu, rreth orës 00:20, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, përballë "Vodafonit", një automjet i paidentifikuar ka aksidentuar me vdekje Hamit Dokën, i cili drejtonte motorin tip "Jihong", me targa TR 114 E. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të automjetit.