E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria dorëzohet: Nuk kemi para për nuklearin

Eksponentë të rëndësishëm të qeverisë së re të Bullgarisë deklaruan së fundmi se ky vend ka nevojë të rishikojë angazhimet e veta në projektet strategjike energjetike dhe të pranojë realitetin e shifrave. Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase. Kreu i ri i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Martin Dimitrov, tha se projekti për një central bërthamor me fuqi të instaluar prej 2.000 megavat, është tepër i kushtueshëm dhe mund të kërcënojë stabilitetin financiar të këtij vendi.

"Nëse do të ketë një investitor privat të gatshëm për t‘u angazhuar në këtë projekt dhe që të mbajë rreziqet përsipër, atëherë ne mund ta diskutojmë. Por projekti nuk mund të kryhet duke rrezikuar paratë e taksapaguesve bullgarë", tha ai. Edhe ministri i ri i Financave, Simeon Dyankov, shtoi se projekti është shumë i kushtueshëm dhe se buxheti i Bullgarisë është shumë i vogël për të përballuar diçka të tillë. Bullgarisë i kërkohet të japë garanci për kredi prej 3.9 miliardë eurosh që do të merren nga kompania publike përgjegjëse për ndërtimin e termocentralit, por tani për tani, qeveria duhet të mendojë se si do të mbulojë deficitin prej 1 miliard eurosh të këtij viti. Më herët është krijuar një konsorcium mes kompanisë publike bullgare NEK dhe asaj gjermane RWE për ndërtimin e termocentralit. Projekti i Bullgarisë ishte parë si shpresë për të gjithë Ballkanin. Rajoni jonë është nën krizë të thellë energjetike dhe në vitin 2012, kriza pritet të përkeqësohet, për shkak se në atë kohë parashikohet që edhe Bullgaria, i cili është vendi i vetëm suficitar në rajon, do të mund të prodhojë më pak se sa kërkesa për konsum. Bullgaria trashëgoi nga koha e miqësisë me Bashkimin Sovjetik disa termocentrale bërthamore, të cilat u nxorën në pension përfundimisht në vitin 2006, duke e zhytur rajonin e Ballkanit në krizë edhe më të thellë. Për shumë vite, Bullgaria shpresoi se eksperienca bërthamore e fituar gjatë katër dekadave të fundit, do ta ndihmonte vendin të ndërtonte një central të ri bërthamor, një proces ky shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, por që nëse del me sukses, mund të ndihmonte jo vetëm Bullgarinë, por të gjithë Ballkanin. Pavarësisht këmbënguljes së qeverisë së Sofies, shumica dërrmuese e ekspertëve ndërkombëtarë talleshin dhe vinin buzën në gaz kur diskutohej një projekt i tillë. Zakonisht vetëm vendet shumë të zhvilluara dhe mjaft të mëdha janë në gjendje sot të ndërtojnë energji bërthamore. Vendet si Bullgaria apo Lituania përbënin një përjashtim të shkaktuar nga subvencionimet sovjetike për ish-satelitët e vet. Dhe ndërsa qeveria bullgare duket se po i nënshtrohet realitetit të ashpër të të qenit një vend i vogël, vende të tjera të Ballkanit vijojnë të ëndërrojnë. Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia kanë shprehur dëshirën për të ndërtuar termocentrale bërthamore, për të zgjidhur krizat e veta energjetike, diçka që në realitet është asgjë më shumë se ëndërr.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›