LSI: Të gjithë në protestën “Demokracia në rrezik”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë pjesë e protestës popullore që do të organizohet në datën 10 maj në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se “ky miting madhështor do t’i thotë jo njëherë e përgjithmonë Gërdec-Kushtetutës të miratuar natën e 21 prillit nga 115 deputetë, tradhtarë e të papërgjegjshëm, të cilët instaluan me votën e tyre republikën e kryeministrit të Gërdecit dhe shkelën e nëpërkëmbën dinjitetin e qytetarëve shqiptare, demokracinë në Shqipëri”. Vasili tha se apeli kryesor i kësaj proteste do të jetë “Demokracia në rrezik”.
“Është rrezikuar çdo shqiptar, është rrezikuar çdo i ri shqiptar dhe çdo e re shqiptare, çdokush në Shqipëri ndodhet pra, përballë një shteti, i cili urren qytetarin, e përdhos qytetarin dhe nuk e lë më atë të vendosë. Çdo shqiptar ka vendin e tij në sheshin ‘Skënderbej’, do të ketë zërin e tij në sheshin ‘Skënderbej’, atë zë që Gërdec-Kushtetuta kërkon t’ia heqë duke mos e lejuar më të zgjedhë as deputetë, të mos zgjedhë as presidentin e vendit, të mos zgjedhë më asgjë. I thërrasim qytetarët, pra, në sheshin ‘Skënderbej’, të gjithë së bashku, për të rivënë në vend demokracinë dhe për të mos i bërë më shërbim variantit stalinist Rama-Berisha, që qytetarët të votojnë dhe votat t’i numërojnë këta e t’i kthejnë në pushtete diktatoriale”, - u shpreh Vasili.
7 Maj 2008