E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset me shkëmbinjtë, rrezikon të fundoset trageti në Koman

CEKËTINA/ Prurjet e lumit Salcë dhe mbyllja e portave të HEC-it kanë ulur nivelin e ujit në liqenin e Komanit

TROPOJË - Trageti i liqenit të Komanit, i linjës Koman-Fierzë rrezikoi të fundoset, pasi u përplas me shkëmbin, pas një ngecjeje në një cekëtinë të krijuar nga prurjet e inerteve në këtë liqen. Për fat nuk janë shkaktuar viktima në njerëz, përveç panikut të krijuar në mesin e pasagjerëve, midis të cilëve kishte edhe gra e fëmijë. Ka qenë manovrimi i kapitenit të kësaj anijeje, Çelë Dushaj, që ka shmangur një tragjedi të mundshme. Burime të policisë së komisariatit të Tropojës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën paradite në vendin e quajtur derdhja e lumit të Salcës, ndërsa trageti i linjës Koman-Fierzë po udhëtonte drejt kalatës së Rajës me 300 persona dhe 40 automjete në bord. Rënia e nivelit të ujit në Liqenin e Komanit si pasojë e mbylljes së HEC-it të Fierzës, si dhe prurjet e mëdha të inerteve të lumit të Salcës kanë bërë që sërish " të ngrejë krye" ishulli i krijuar në liqenin e Komanit. Gjatë lundrimit të ditës së shtunë nga Komani në Fierzë, trageti i kësaj linje ka ngecur në cekëtinë, ku si pasojë e ngecjes ka humbur kontrollin dhe është përplasur me shkëmbinjtë në breg. Ka qenë manovrimi i duhur i kapitenit i cili ka mbështetur portën e bashit të anijes me shkëmbin duke mbrojtur njëherësh anijen nga çarja dhe futjen e ujit brenda. Më pas ,anija ka mundur të hyjë sërish në rrjedhën e saj të lundrimit ku është ankoruar në kalatën e Rajës, pa regjistruar asnjë pasojë në jetën e njerëzve apo dëmtime materiale me vlerë. Rrezikimi nga mbytje e tragetit të linjës Fierzë-Koman ndodh për herë të tretë brenda tre vjetësh. Në mesin e Liqenit të Komanit, rreth 20 kilometër nga stacioni i fshatit Gri në Fierzë, në afërsi të lumit të Salcës është krijuar një mal i nëndheshëm që është shfaqur në sipërfaqe si pasojë e prurjeve të ngurta të lumit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›