Bien përgjimet që fajësuan Ilirjan Didën
21/01/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbuluar këto ditë se njëri nga të arrestuarit si bashkëpunëtorë në gjobëvënie bashkë me ish-funksionarin e policisë, Ilirjan Dida, nuk ka thënë të vërtetën. Thëniet e njërit prej të arrestuarve e kanë çuar në një hetim pa krye Prokurorinë, e cila besonte se përgjimi telefonik ku flitej për një gjobë ndaj kunatit të Didës, i përkiste ish-zyrtarit të forcave blu. Por, pasi kanë kryer disa verifikime hetimore, hetuesit kanë mbërritur në përfundimin se telefonata e përgjuar nuk është bërë nga Ilirjan Dida. Sipas tabulateve telefonike, telefonatat janë bërë nga personi që u ka dëshmuar hetuesve disa herë, gjëra të cilat kanë rezultuar të pasakta. “Ky person ka kryer telefonatat e përgjuar dhe më pas ka thënë se në atë telefonatë ka folur Ilirjan Dida. Kjo ishte prova, e cila fillimisht e implikoi Didën, por pas verifikimeve, rezulton që kjo telefonatë të mos jetë bërë nga aparati celular i Didës”, thanë burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në bazë të deklarimeve të pasakta të personit të akuzuar si bashkëpunëtor, prokurorët e Krimeve të Rënda lëshuan urdhrin për arrestimin e Ilirjan Didës. Dje burimet hetimore, thanë se një pjesë e mirë e provave të atëhershme, mbi të cilat u bazua arrestimi, janë të pavlefshme, ndërsa po verifikohet edhe mundësia e ndryshimeve në akuzën e ngritur. Ilirjan Dida dhe disa ish-punonjës të policisë, u arrestuan në mesin e muajit nëntor, me akuzën e gjobëvënies ndaj biznesmenit Fatos Hamzallari. Prova kryesore e Prokurorisë ndaj Didës, për ta implikuar në veprën penale, ishte një bisedë telefonike në të cilën flitej për pengmarrjen. Kjo ishte deklaruar nga njëri prej të arrestuarve për bashkëpunim në pengmarrje. Por, pasi kanë dyshuar te këto dëshmi, hetuesit kanë vëzhguar tabelën e telefonatave të Didës, dhe ka rezultuar se ai nuk ka marrë në telefon asnjë bashkëpunëtor dhe se nuk ka biseduar për pengmarrjen. Biseda që mbahej si provë, është bërë pas thirrjes në telefon që i është bërë Didës nga njëri prej të arrestuarve, por hetuesit thonë se, në këtë bisedë, nuk është folur për pengmarrje.