E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon çmimi për zonat industriale

21/01/2005  Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka vendosur të ndryshojë formulën për vlerësimin e tokave të përcaktuara për ndërtime industriale. Burimet kanë bërë të ditur se vlera fillestare e trojeve në zonat industriale, nuk do të jetë ajo e tokës bujqësore të cilësisë së parë, por do të jetë çmimi i tokës që do të përdoret për ndërtime të banesave. Por dhe në këtë rast do të merret si shembull rajoni i klasifikuar i fundit. Kësaj vlere do t´i shtohet koefiçienti i infrastukturës, koefiçienti i ndërtueshmërisë dhe koeficienti i ndotjes. Mbledhja e të tre vlerave do të tregojë se cili do të jetë çmimi i tokës në zonën industriale, që do të përdoret në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.

Koeficientët

Burimet kanë bërë të ditur se në zonat industriale, vlera e truallit mund të shkojë deri në 70 mijë lekë metri katror. Por kjo vetëm në rastet kur janë të gjitha kushtet. Gjithsesi, me koeficientin e infrastrukturës, koeficienti do të lëvizë nga 1 deri në 2. Shuma optimale do të jetë vetëm në rast se zona do të ketë rrugët e rregullta, furnizimin me energji elektrike 24 orë, furnizimin me ujë të pijshëm po 24 orë si dhe kushte të tjera, si largësia me qendrat e banuara. Në koeficientin e ndërtueshmërisë është theksuar se vlera do të jetë më e lartë kur ekspetët do të vlerësojnë se në zonën e përcaktuar, banesat lejohet të jenë deri në 8 kate. Problematike në vlerësimin e çmimit do të jetë ndotja e ambientit. Në këtë rast sa më i ulët që të jetë niveli i ndotjes aq më i lartë do të jetë çmimi i tokës.

Vendimi

Burimet kanë bërë të ditur se të pestë anëtarët e Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë diskutuar gjatë mbi vlerësimin e zonave industriale. Duke qenë një term i ri për Shqipërinë, anëtarët e Komitetit kanë kërkuar mendimin e ekspertëve. Gjatë mbledhjeve është kundërshtuar fakti që zonat industriale të vlerësohen si toka bujqësore. Shumica e anëtarëve të komitetit janë shprehur se kjo zonë përdoret për ndërtime ndaj dhe duhet të cilësohet vetëm truall. Por, duke parë se objektet e ndërtimit janë të përcaktuara për industri, është pranuar që vlera të mos jetë e njëjtë me trojet për ndërtime publike. Duket se këtë argumentim e kanë mbështetur dhe ekspertët që punojnë pranë Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Megjithatë vendimi përfundimtar dhe mbi këtë pikë do të publikohet vetëm pas diskutimit përfundimtar të metodikës për çmimin e pronave në Shqipëri.

Propozimi

Për vlerësimin e trojeve industriale, duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për zona industriale në aktivitet ose jo. Në të shumtën e rasteve dhe ajo pjesë e industrisë që është në aktivitet ka një teknologji mjaft të vjetëruar dhe për të vazhduar aktivitetin ka nevojë për investime të rëndësishme.

Zonat

Në rastet kur kemi të bëjmë me zonat industriale në të cilat janë bërë ndryshime destinacioni nga ana e organeve shtetërore, vlera e trojeve do të përcaktohet duke përdorur të njëjtat kritere si në rastin e vlerësimit të trojeve që përdoren për banesa ose qëllime të tjera publike

Ndryshimet

Ndërsa në metodikën paraprake ekspertët kishin propozuar që vlera e tokës industriale të ishte e barabartë me çmimin e tokës bujqësore të cilësisë së parë, Komiteti ka vendosur që vlera e tokës industriale të jetë ajo e tokës që do të përdoret për ndërtim, por jo e trojeve më të shtrenjta

Komiteti i pronave nis konkurset

Javën e ardhshme do të përfundojë procesi i konstituimit të komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sot, paradite, në Pallatin e Kongreseve, Komiteti Shtetëror do të zhvillojë konkursin për anëtarët e komisioneve në rrethe. Rezultatet e konkursit pritet të shpallen ditën e martë, për të deklaruar më pas nisjen e punës për vlerësimin e dosjeve për ish-pronarët. Gjithashtu, javën e ardhshme pritet deklarimi i metodikës së vlerësimit të tokës në Shqipëri. Por kjo nuk do të jetë vendimtarja, pasi metodika do të shqyrtohet dhe nga deputetët, që kanë të drejtën e plotë për ta ndryshuar. Duke parë se në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka debate politike, pritet që dhe në diskutimet që do të zhvillohen në komisionet parlamentare të mos ketë ndryshime të tjera. Megjithatë, pa konstituimin e komisioneve vendore të kthimit të pronave nuk do të ketë efekt asnjë vendim i Komitetit Shtetëror.

Begeja: Po vonohet zbatimi i ligjit

Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Maksim Begeja, ka shprehur shqetësimin mbi vonesat që po bëhen në zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas tij, gjatë këtyre muajve të paktën duhet të kishte nisur puna për të shqyrtuar vendimet e marra prej komisioneve që kanë funksionuar gjatë viteve 1993-2000. Sipas ligjit, që është miratuar më 30 korrik të vitit që shkoi, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka të drejtën që të shqyrtojë vendimet e mëparshme dhe në rast se gjen shkelje ka të drejtë që t'i shfuqizojë ato. Duke parë se komiteti deri më tani është duke diskutuar mbi metodikën e çmimeve, Begeja ka shprehur shqetësimin për zbatimin e kompetencave të tjera që ka ky Komitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›