E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Besnik Dervishi nuk ka pyetur PS për kandidimin

21/01/2005  Kandidatura e Besnik Dervishit, për postin e Avokatit të Popullit, është kundërshtuar së fundi dhe nga vetë socialistët, me argumentin se ai duhet të jetë një figurë e paanshme politike. Deputeti Petro Koçi ka kundërshtuar iniciativën e ish-prefektit të Tiranës, Besnik Dervishi, për të kandiduar për këtë post. Sipas Koçit, iniciativa e Dervishit ka qenë personale dhe natyrisht nuk janë pyetur më parë forumet e PS-së. Duke iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë, Avokati i Popullit, nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike. Ndërsa ish-ministri i Turizmit është aktualisht anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së. Lidhur me këtë fakt, Koçi shprehet se "iniciativa e Besnik Dervishit është e gjitha personale dhe nuk ka lidhje me ndonjë mirëkuptim të institucinit që drejton Grupin parlamentar siç është kryesia e tij". Fakti që Dervishi është pjesë e strukturave të PS-së shikohet nga deputeti socialist si një veprim komprometues në këto momente.

PS&PD

Kandidatura e Dervishit duket se do të jetë pjesë e një shqyrtimi të hollësishëm në strukturat e larta të PS-së. Sipas deputetit Koçi, kjo është një çështje e rëndësishme që kërkon një vendim nga institucionet drejtuese të PS-së. Iniciativa personale e ndërmarrë nga ish-ministri Dervishi duket se nuk do të gëzojë mbështetjen e plotë të Grupit socialist në parlamentin shqiptar. Megjithatë, kjo pikë pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të socialistëve. Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit duhen të paktën tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kështu, Dervishit do t'i duhet të sigurojë shumicën e cilësuar të kartonave të parlamentarëve për të drejtuar për një mandat pesëvjeçar zyrën e Avokatit të Popullit. Nga ana tjetër Partia Demokratike e ka cilësuar kandidimin e Dervishit si një nismë të Kryeministrit Fatos Nano. Demokratët, këtë vepim e cilësojnë si një mjet për ta manipuluar këtë institucion pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Demokratët theksojnë se "kjo do të thotë të dekapitosh pavarësinë e institucionit".

Kushtetuta

Mandati i Emir Dobjanit, në krye të Avokatit të Popullit, përfundon më 16 shkurt. Vetë Dobjani ka deklaruar se do të rikandidojë për këtë post. Sipas nenit 61, të Kushtetutës, Avokati i Popullit ka mandat për të drejtuar këtë institucion për një periudhë 5-vjeçare. Në krye të tij mund të jetë çdo shtetas shqiptar, me arsim të lartë, me njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të Drejtave të Njeriut dhe të ligjit. Avokati i Popullit nuk mund të bëjë pjesë në asnjë parti politike dhe nuk mund të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore ose profesionale. Madje, ai nuk duhet të marrë pjesë në organizmat drejtuese të shoqatave ekonomike dhe tregtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›