E Diel, 1 Nëntor 2026

Laço tërhiqet nga politika dhe kryetari i partisë

21/01/2005  Kryetari i Partisë Liberal Demokrate, Teodor Laço, ka vendosur të tërhiqet nga drejtimi i partisë. Burime në PBL sqarojnë se Laço ka vendosur të mos kandidojë në Kuvendin Kombëtar të Partisë që do të mblidhet më 27 janar të këtij viti. Arsyet se përse Laço ka vendosur të tërhiqet nga drejtimi i partisë është fakti se veprimtaria e Partisë kërkon një aktivitet të ngjeshur, ndaj ai ka preferuar të lërë hapësira për anëtarët e dinamikë dhe me ambicie. Laço në një prononcim të tij ka thënë se, "jam me idenë se partia nuk duhet të dominohet nga një individ. Përderisa aletrnativa liberaldemokrate nuk ka arritur të afirmohet siç e meriton atëherë, kjo do të thotë se edhe tek unë ka munguar diçka". Laço nga ana tjetër është shprehur se ai që njeh dhe pranon dështimet e veta ka një shanc më shumë të bëjë diçka më të mirë në të ardhmen, sesa ai që sedra apo motivet e tjera ia zënë sytë. Në planet e tij në të ardhmen, Laço ka vendosur të ndjekë shembullin e ish-kryetarit të republikanëve, Sabri Godo, i cili është larguar nga drejtimi i partisë, por jo nga politika. Ky është rasti i dytë që një kryetar partie tërhiqet vullnetarisht nga drejtimi i saj. I pari ishte Sabri Godo, që dha vullnetarisht dorëhqejen nga kreu i PR-së, duke i liruar vendin pasaardhësit të tij, Fatmir Mediu, i cili është dhe aktualisht kryetari i kësaj partie. Nuk dihet nëse përzgjedhja për kryetarin e ardhshëm të PBL do t'i nënshtrohet konkurrimit, por, gjithsesi, mendohet që në krye të PBL-së të vijë Arjan Starova, që njihet dhe si krahu i djathtë i kryetarit aktual.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›