E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien shitjet e banesave, ndërtuesit u japin apartamente punëtorëve me clering

Shtimi me ritme shumë të shpejta i ndërtimeve në qytetin e Vlorës, veçanërisht të pallateve të banimit, por edhe kriza ekonomike në vend ka bërë që të bien shitjet e tyre në këtë qytet. Në këto kushte, përveç lidhjes me ortakë dhe kolegë në rrethe të ndryshme për të realizuar shitjet e apartamenteve, pronarët e tyre po përdorin edhe shitjen me clering, duke marrë në punë ustallarë dhe në shkëmbim të dhënies së pagës së punës atyre u propozohet të marrin një apartament aty ku punojnë. Kjo gjë bëhet e ditur për gazetën nga vetë punëtorët. Shumë nga këta ustallarë, muratorë, pllakashtrues apo hidraulikë e elektricistë bëjnë me dije se kanë disa kohë që kanë bërë kontratë me pronarët e pallateve që ndërtojnë, ku pagën e tyre e shkëmbejnë me apartamente banimi. Kjo sipas tyre nuk është në interesin familjar të tyre, por që janë të detyruar ta bëjnë me qëllim që të mos rrinë shumë kohë në pritje të marrjes së pagesës që kanë bërë në kontratë. Janë shtuar shumë jo vetëm pallatet që po ndërtohen në këtë qytet, por janë shtuar shumë edhe ustallarët, tregon një murator duke punuar në një pallat pranë rrugës Skelë, Uji i Ftohtë. Tashmë këtë punë që unë e bëj prej gati 30 vjetësh, kanë filluar ta bëjnë edhe djem të rinj, që nuk kanë bërë asnjëherë mure të thjeshtë. Mirëpo ata po bëhen edhe më të preferuar sepse kanë forcë për të punuar më shumë dhe gjithashtu janë të lirë në tregun e ndërtimit. Në këto kushte edhe ne jemi të detyruar të ulim pazarin, por kjo është më mirë se sa ajo që po ndodh kohët e fundi, ku shumë pronarë ngaqë kanë rënë shitjet e apartamenteve, kanë filluar të na paguajnë me mall, dmth, pagesën në lekë na e konvertojnë në apartament banimi dhe ne në fund të mbarimit të punimeve nuk marrin asnjë lekë, por marrin në atë pallat një apo më shumë apartamente, sa të na takojë sipas punës që kemi bërë, shprehet një punëtor i vjetër, sipas të cilit në pamjen e parë kjo duket me leverdi për ta, por në fakt është katastrofë. Fëmijët duan bukë përditë, ndërkohë që me këtë mënyrë pagese ne duhet të punojmë vite të tëra, pastaj të marrim apartamentin, pastaj të gjejmë mënyrë shitjeje për të nxjerrë lekët tona, shton më tej punëtori. Rënien e shitjes së apartamenteve të banimit e pranojnë edhe pronarë të ndryshëm pallatesh në Vlorë. Edhe specialistë të ndërtimit në qytetin e Vlorës pohojnë se kanë rënë shitjet në pallatet e ndërtuara në qytetin e Vlorës ndërkohë që kanë filluar të marrin vlerë shitjet e pallateve në qytetin e Orikumit dhe në afërsi të tij, çka nënkupton një shtrirje të qyteteve deri në shkrirjen në një të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›