E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien shitjet për sektorin e ndërtimit

Gjatë muajve të parë të këtij viti indeksi i shitjeve në sektorin e ndërtimit ka pësuar rënie. 

Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, indeksi i shitjeve në sektorin e ndërtimit në tremujorin e parë 2008 rezulton me një rënie prej 27.9 për qind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, indeksi u rrit 39.7 për qind. Ndërtimi është një ndër sektorët me peshë më të madhe në ekonominë vendase. Por si pasojë e problemeve të hasura gjatë vitit të kaluar, ritmi i zhvillimit të këtij sektori ka rënë disi. Sipas të dhënave nga INSTAT, vërehet se përveç këtyre muajve të parë të këtij viti, ka rënë edhe indeksi i shitjeve. Ndërkohë për sa i përket indeksit të shitjeve në të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të parë arriti 86.5 për qind, duke shënuar një rënie prej 13.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Rreth 61.9 për qind e rënies së nivelit të shitjeve këtë tremujor vjen nga dega "Tregti, hotele dhe restorante". Konkretisht, indeksi i shitjeve në sektorin e "Tregtisë, hoteleve dhe restoranteve" këtë tremujor shënoi një rënie prej 18.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me tremujorin e parë 2007, indeksi i shitjeve u rrit 22.1 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›